Meta takon kongresmenët në SHBA: Mbështetje për Reformën në Drejtësi

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka zhvilluar në SHBA takime me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan, Pete Sessions dhe me Kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare Kongresmenin, Michael McCaul.Kryetari i Kuvendit vuri theksin në përpjekjet e klasës politike shqiptare në bashkëpunim me partnerët strategjikë ndërkombëtarë për realizimin me sukses të reformimit të sistemit të drejtësisë, si kyç për të ardhmen e vendit.Dy Kongresmenët shprehën interes e mbështetje të veçantë për përparimin e reformës në drejtësi, duke nënvizuar se SHBA kanë nevojë për një Shqipëri të fortë dhe një rajon të stabilizuar.Gjatë takimeve u diskutua mbi prioritetet e sigurisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, duke theksuar nevojën për bashkërendim të luftës kundër terrorizmit, me vëmendje të veçantë ndaj krizës së refugjatëve dhe zhvillimeve në rajon dhe lindjen e mesme!Meta nënvizoi se kriza të tilla duhen parandaluar përpara se të përhapen më tej, dhe vuri në dukje se Shqipëria po bën përpjekjet e saj, jo vetëm në përballimin e kësaj krize migratore, por edhe në luftën kundër terrorizmit, të cilën e cilësoi si një sfidë globale, jo thjesht rajonale.Kongresmeni Pete Sessions duke falënderuar Metën për vizitën në Uashington tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë besim te Shqipëria, por edhe te populli shqiptar."SHBA-të duan që Shqipëria të ketë sukses dhe është e nevojshme që Shqipëria të jetë e suksesshme. Kjo mund të arrihet nëpërmjet lidershipit dhe një ditë më e mirë për Shqipërinë fillon me stabilitetin, paqen dhe duke siguruar që të gjithë shqiptarët të kenë një shans për ta bërë jetën e tyre më të mirë. Dhe marrëdhëniet tuaja me Kongresin Amerikan dhe popullin amerikan tregojnë se ne do të jemi aty përkrah jush".Të dy kongresmenët amerikanë theksuan se SHBA nuk duhet të kursejnë asgjë për të ndihmuar aleatët e tyre./Ora News/