Nga Greqia në Shqipëri me armë dhe materiale kontrabandë, pranga dy personave
Policia kufitare e Kapshticës ka arrestuar dy shqiptarë, 31 dhe 26 vjeç pasi hynë në territorin e Shqipërisë me një armë pa leje dhe disa materiale të cilat i kishin futur kontrabandë.Gjatë kontrollit, policia i gjeti një armë të çmontuar dhe dy kupa sportive me mbishkrime në gjuhën greke.“Nga Specialistët e Hetimit, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Dhurim Doksani, 31 vjeç dhe Klodjan Kurti 26 vjeç, të dy banues në fshatin Klos- Burrel. Arrestimi i tyre u bë pasi, të dy këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e patrullës së Kufirit, në afërsi të Piramidës nr 28, mbi Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, duke kaluar kufirin nga jashtë-brenda territorit tonë, në mënyrë të paligjshme. Gjatë kontrollit të bagazheve të tyre, në brendësi të valixhes që zotëronin, midis sendeve të tjera personale, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë gjahu e çmontuar, tre fishekë, si edhe disa pajisje të ndryshme të cilat këta shtetas, po i futnin kontrabandë në vendin tonë”, sqaron policia.Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale: “Kontrabanda me mallra të tjera”; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”; “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 174, 280, 297 e 25 të Kodit Penal.
