Ministri i Jashtëm gjerman: Përmbyllni reformën në drejtësi, impakt për vendin
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier, i ka këkruar Shqipërisë të përmbyllë sa më shpejt reformën në drejtësi, jo vetëm për impaktin që ka në proçesin integrues të vendit, por dhe mbi zhvillimin ekonomik. Deklaratat erdhën gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Gjermani.Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjermani ku është takuar me Ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Frank- Walter Steinmeier.Ministri Steinmeier vlerësoi progresin e bërë nga qeveria shqiptare në adresimin e 5 prioriteteve kyçe në procesin e integrimit evropian, ku evidentoi nevojën për përmbylljen e shpejtë të reformës në drejtësi.Steinmeier: Shpreh respekt për gatishmërinë që ekziston në Shqipëri për të tërhequr një ekspertizë sa me të gjerë ndërkombëtare, me qellim që të kryhet një reformë sa më e gjerë e gjyqësorit. Tashmë kjo ka marrë formën e një propozimi të një reforme të balancuar të gjyqësorit dhe tani është momenti që kjo reformë të bëhet realitet. Ne e mbështesim këtë me mundësitë që kemi dhe dua të shpreh qartësisht se reforma në drejtësi është një gur themel për rrugën drejt BE-së.Ndërsa duke u ndalur në zhvillimet më të fundit në rajon, Ministri Steinmeier vlerësoi qëndrimet e Shqipërisë si faktor stabiliteti, foli për situatë problematike në Maqedoni.Steinmeier: Shqipëria është një partner i rëndësishëm edhe në kontekstin e stabilitetit për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kush hedh një vështrim këto ditë për nga vendet e rajonit të Ballkanit, nuk do të shohë vetëm se në Serbi janë organizuar zgjedhjet, por edhe në vendin fqinj Maqedoni, pothuajse çdo ditë po shtohen nëpër rruge irritime, protesta dhe konflikte. Prandaj tema Maqedoni na preku shumë sot në mëngjes, dhe për këtë diskutuam së bashku se çfarë mund të bëjmë që të evitojmë konfliktet e mëtejshme të dhunshme në Maqedoni.Ndërsa shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, teksa ka falenderuar Gjermaninë për mbeshtjen shumëplanëshe, përfshirë procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka theksuar se Shqipëria është fokusuar në ndërtimin e një shteti demokratik.Bushati: Do të doja t’ju falënderoja ju dhe Qeverinë gjermane për mbështetjen e pakushtëzuar dhe të pakursyer në procesin e demokratizimit të Shqipërisë dhe në procesin e stabilizimit dhe normalizimit të rajonit tonë. Është fakt që pavarësisht vështirësive me të cilat përballet kontinenti ynë dhe BE në këto kohë krizash, ne e kemi ndjerë nga afër mbështetjen nëpërmjet iniciativave gjermane, kryesisht me Procesin e Berlinit, si për sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, por dhe një ecuri pozitive sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe një ritëm më pozitiv në bashkëpunimin rajonal i demonstruar në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në Berlin, në Vjenë dhe së shpejti në Paris. I shpreh mirënjohjen serish në emër të popullit shqiptar për mbështetjen, për ekspertizën, për kontributin e taksapaguesve gjermanë në proceset e shtet-ndërtimit demokratik, për ekspertizën që kanë dhënë në reformën në drejtësi që shpresojmë të jetë në fazën e saj finale përpara se të bëhet realitet dhe për asistencën e vyer të agjencive gjermane që kanë dhënë gjatë kësaj kohe në Shqipëri.Duke iu referuar zhvillimeve më të fundit, sfidave që po përjeton sot Evropa nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, Ministri Bushati ka rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër tyre, duke dhënë kontributin e saj përkrah vendeve aleate të NATO-s./Oranews.tv/