Afro 500 refugjatë mund të jenë mbytur ditën e shtunë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë me dije se afro 500 refugjatë mund të jenë mbytur në ujrat e Detit Mesdhe ditën e shtunë.Zyrtarët e OKB-së komunikojnë se bëhej fjalë për qindra refugjatë të cilët ndodheshin në bordin e një anijeje që ishte nisur nga Libia me qëllim mbërritjen në brigjet e Italisë. Nëse një lajm i tillë do të vërtetohet, atëherë kjo mund të jetë tragjedia më e madhe e emigrantëve në 12 muajt e fundit. Autoritetet nuk kanë mundur që të zbulojnë vendin e sakte se ku mund të ketë ndodhur tragjedia, ndaj operacionet e kërkim shpëtimit kanë qënë mjaft të vështira.Deri më tani, ka vetëm 41 të mbijetuar mes të cilëve 37 burra, tre gra dhe një fëmijë tre vjeçar. Këta të fundit u zbuluan rastësisht nga një anije mallrash, dhe u dërguan në Kalamata të Greqisë.Nga të mbijetuarit 23 persona janë shtetas somalezë, 11 etiopianë, 6 janë nga Egjipti si dhe një person është nga Sudani. Autoritetet mendojnë se të gjithë emigrantët e mbytur vijnë të gjithë nga kontinenti afrikan dhe kanë patur si synim mbërritjen në një prej vendeve perëndimore. Të mbijetuarit kanë deklaruar se ata ishin pjesë e një grupi që u nis me një barkë afro 30 metra të gjatë nga Libia.Rojat bregdetare kanë nisur prej ditësh një operacion kërkim-shpëtimi, por mundësitë që të gjendet të mbijetuar janë reduktuar ndjeshëm./Oranews.tv/