Ngrihet Agjencia e Turizmit, 13 kompetenca

Shqipëria do të ketë edhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u vendos për ngritjen e kësaj Agjencie, e cila është një institucion publik dhe ka si synim promovimin e turizmit shqiptar, brenda dhe jashtë vendit.Agjencia është e organizuar në nivel qendror dhe do të ketë vulën dhe stemën zyrtare.Agjencia do të ketë një drejtor të përgjithshëm, i cili propozon edhe një rregullore të brendshme të funksionimit të Agjencisë për miratim te ministri përgjegjës për turizmin.Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit do të zbatojë vendimin në fjalë, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.Agjencia do të ketë 13 kompetenca, të cilat janë si më poshtë:8.1. Zbaton Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Turizmit dhe Strategjinë Kombëtare të Marketingut për sektorin e turizmit.8.2. Zbaton politikat e marketingut në fushën e turizmit, duke promovuar turizmin shqiptar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për krijimin e imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik në tregun ndërkombëtar.8.3. Ofron informacion si dhe krijon infrastrukturën e nevojshme për dhënien e informacionit për vizitorët, udhëtarët dhe turistët në lidhje me kapacitetin turistik kombëtar, shërbimet turistike që ofrohen, për produktet dhe destinacionet turistike, si dhe për veprimtari e të dhëna të tjera të dobishme në lidhje edhe me aspekte dhe vlera të natyrës, historisë dhe trashëgimisë së kombit shqiptar apo me veprimtari shoqërore e kulturore të cilat kanë si objekt informimin dhe tërheqjen e turistëve e të vizitorëve.8.4. Në kuadër të promovimit të modeleve të shërbimeve të turizmit në vend, krijon dhe zhvillon një markë cilësie me qëllim bërjen të njohur të produkteve e të shërbimeve turistike të ofruara, si dhe forcimin e besimit të konsumatorëve ndaj cilësisë së shërbimeve turistike të ofruara dhe të operatorëve që i ofrojnë ato.8.5. Bashkëpunon me institucione të tjera për të zhvilluar aktivitetin e saj brenda dhe jashtë vendit.8.6. Ndërmerr dhe nxit projekte për turizmin, sipas fushës së vet të veprimtarisë, duke marrë miratimin paraprak të ministrit. Agjencia aplikon për financime pranë Bashkimit Evropian dhe donatorëve apo pranë institucioneve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, me qëllim realizimin e projekteve.8.7. Promovon, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, produktet turistike dhe destinacionet turistike shqiptare duke bashkëpunuar me zyrat rajonale të turizmit, komitetet rajonale për zhvillimin e turizmit, pushtetin vendor, operatorët dhe agjencitë turistike si dhe organizma të tjerë që operojnë në fushën e turizmit, përfaqësitë diplomatike shqiptare jashtë vendit, me përfaqësitë diplomatike të huaja brenda vendit apo me organizata të ndryshme vendase dhe të huaja apo edhe konsulentë.Promovon gjithashtu zhvillimin  e aktiviteteve të lidhura me turizmin apo të çdo aktiviteti tjetër kulturor a me karakter historik ose sportiv, i cili ndikon në promovimin e turizmit apo me tërheqjen e turistëve dhe vizitorëve.8.8. Promovon, si brenda edhe jashtë vendit, me anë të informimit, shpërndarjes së informacionit, analizave, studimeve, prezantimeve, statistikave apo me çdo mjet tjetër të përshtatshëm, investimet në zonat me prioritet zhvillimin e turizmit, duke bashkëpunuar me institucionet publike të nxitjes së investimeve në vend, institucione të tjera publike, organizata të ndryshme vendase dhe të huaja apo edhe konsulentë.8.9. Propozon dhe harton materialet me karakter promocional, informues apo statistikor, në përputhje me kërkesat, nevojat dhe tendencat e tregut turistik, me kërkesat dhe nevojat kombëtare e rajonale të zhvillimit të turizmit, me objektivat e planeve dhe strategjive kombëtare të turizmit si dhe me tendencat e tregut turistik, dhe realizon prodhimin apo botimin e tyre.8.10. Kryen, monitoron, përmirëson dhe përditëson aktivitetin e promovimit on-line me anë të portalit on-line, si dhe forumeve dhe kanaleve sociale on-line.8.11. Mbledh të ardhurat që realizohen në bazë të marrëveshjeve të qirasë për sipërfaqet e dhëna në përdorim për zhvillimin e turizmit dhe të marrëveshjeve ekzistuese të qirasë të lidhura me subjektet “person i stimuluar”. Mënyra e mbledhjes dhe e përdorimit të këtyre të ardhurave nga Agjencia përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave në bashkëpunim me ministrin përgjegjës për turizmin, sipas legjislacionit në fuqi.8.12. Kontrollon zbatimin dhe plotësimin e kritereve për marrëveshjet ekzistuese të qirasë dhe për marrëveshjet e zhvillimit, të lidhura me subjektet “person i stimuluar”. Rregulla të hollësishme për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me udhëzimin e ministrit përgjegjës për turizimin.8.13. I propozon ministrit përgjegjës për turizmin ndryshimin e akteve ligjore e nënligjore në fushën e turizmit, duke argumentuar arsyet për këto propozime./Ora News/