Komiteti i Helsinkit: Korrupsioni i lartë largon njerëzit nga vendi, të luftohet!

Duke marrë shkasë nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i kërkon autoriteteve shtetërore që të ndërmarrin masa për të luftuar korrupsionin e përhapur gjerësisht “në të gjitha degët e qeverisë,  veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe në sistemin e kujdesit shëndetësor”.Me anë të një deklarate të lëshuar, KSHH, thekson se ky fenomen po pengon përparimin dhe zhvillimin e reformave të qëndrueshme, çka ka detyruar ikjen e mijëra njerëzve nga vendi.“Gjithashtu niveli i lartë i korrupsionit po ndikon negativisht në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe ndëshkueshmërinë e veprave penale në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë të veprave penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës”, thuhet në reagim.Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se reforma në drejtësi do të jetë thelbësore në luftën kundër korrupsionit.“Deri në miratimin e paketës kushtetuese dhe ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë, KSHH vlerëson se policia, prokuroria dhe gjykata kanë në dispozicion të gjitha mjetet ligjore për të vënë para përgjegjësisë penale çdo person që korrupton dhe korruptohet, pavarësisht nga statusi politik dhe gjendja ekonomike”, thuhet më tej.Gjithashtu, shprehet shqetësimi për të drejtat e komunitetit rom dhe atij egjiptian si dhe gjendja në burgjet e mbipopulluara./Ora News/