Prof. Dr. Koni: Unë dhe familja ime kaluam ditë të vështira, detajet në Prokurori
Kandidati për rektor për Universitetin e Tiranës Prof.Dr Mynyr Koni thyen heshtjen në lidhje me kërcënimin e bërë nga Emiljano Shullazi.Në deklaratën e tij në Facebook, Professor Koni thekson se është kërcënuar, por pa preferuar të përmendë emra konkret.Koni thekson në mbyllje të fushatës se përfshirja në zgjedhjet e universitetit e elementëve të jashtëm dëmton vet universitetin.Ai thotë se ka qenë nën presion që të tërhiqet nga gara.Koni: Unë kam qenë nën presion që të tërhiqem nga gara por falë mbështetjes së kolegëve, miqve dhe strukturave shtetërore, vazhdoj të jem në garë. Detaje nga kjo ngjarje janë jo produktive nëse do i ndaja me ju, për më tepër kur organet kompetente janë duke vepruar.Por një gjë duhet ta ndaj me ju: Kam qenë totalisht i papërgatitur që një ngjarje e tillë do të ndodhte në Universitetin e Tiranës dhe që unë bashkë me familjen time do të kalonim ditë të vështira thjesht sepse unë besoj që bashkë me ju, UT-në mund ta zhvillojmë më shumë në mënyrë që studentët, pedagogët dhe shoqëria shqiptare të marrë maksimumin nga ky institucion.Ai thekson se nuk ka vepruar asnjëherë kundër procesit zgjedhor dhe interesave të këtij institucioni kaq të rëndësishëm për shoqërinë. Profesori thekson se tentativat për prishjen e procesit zgjedhor apo hedhjen baltë mbi të, “bëhen vetëm nga individë të verbuar nga epshet e tyre të pakuptueshme”.Koni: Pedagogët dhe studentët janë nga njerëzit më të lirë që ka shoqëria shqiptare dhe jam i bindur që gjithmonë ata vendosin bazuar në logjikën dhe dëshirën e tyre dhe kurrsesi jo në sajë të presioneve apo provokimeve që mund t’i bëhen. Nuk ka ofendim më të madh që na bëhet të gjithëve kur dikush i përshkruan pedagogët si qenie pa dinjitet, të cilët votojnë dhe jetojnë nën presion. UT duhet të jetë një garanci solide suksesi në të ardhmen duke kontribuar pareshtur në një arsim cilësor që do të reflektohet në formimin e brezave të denjë të specialistëve më të mirë në vend.Profesor Koni bën thirrje për mbylljen e një procesi që të jetë dinjitoz dhe në lartësinë që i takon universitetit./Ora News/