Sejko: Rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington.Gjatë pjesëmarrjes në mbledhjet e Pranverës të FMN-BB, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare.Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë gjithashtu në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së si dhe në Forumin Ekzekutiv organizuar nga Banka Botërore për politikëbërësit dhe zyrtarët e lartë.Një takim i rëndësishëm ishte dhe takimi me Ministrat e Financave dhe të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Konstituencës ku bën pjesë Shqipëria, nën drejtimin e Ministrit të Ekonomisë dhe të Fianacave të Italisë, zotit Pier Carlo Padoan. Përveç Italisë dhe Shqipërisë, në këtë konstituencë bëjnë pjesë dhe Greqia, Malta,Portugalia, dhe San Marino.Në gjithë takimet e sipërpërmendura, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur më tej në problemet dhe perspektivën e rritjes ekonomike, si dhe në zhvillimet e sektorit bankar.Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Në lidhje me zhvillimet e fundit në ecurinë e çmimeve të konsumit, Sejko theksoi edhe njëherë ndikimin e fortë që ka ushtruar koniunktura ndërkombëtare e çmimeve. Ai shprehu opinionin e Bankës së Shqipërisë se ecuria e inflacionit në vlerat aktuale është e përkohshme dhe shpejt ajo do të kthehet në nivelin e synuar.Lidhur me sistemin bankar në vend, Guvernatori Sejko nënvizoi se çështja e kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në 18.2 %, në fund të vitit 2015.