Nuk miratohet TEC-i i Maliqit, Xhafaj-Halimi: Nuk ka studim mjedisor

Në një kohë kur qeveria është fokusuar në politika për mbrojtjen e mjedisit dhe ndjeshmëria e shoqërisë është më e lartë se çdo herë, Komisioni Parlamentar i Ligjeve  shtyu miratimin e projektligjit të Ministrisë së Energjisë që mundësonte ndërtimin e një termocentrali në zonën e ish-kënetës së Maliqit përmes shfrytëzimit të tokës bujqësore.Anëtarët e socialist dhe demokratë  vlerësuan se ky projekt ka impakt negativ në mjedis, ndaj kërkuan  kohë për të studiuar më qartë ndryshimet.Xhafaj, kreu i Ligjeve: Studimi që është bërë, që ka sjell gjithë këto efekte, a është shoqëruar dhe nëse është i shoqëruar me pasojat dhe efektet që krijohen, t’i kemi në dispozicion në mënyrë që të bëjmë një gjykim më të plotë. Ju thjesht mund të thoni ta kalonin tokën, jo! Ne jemi të implikuar në këtë moment.Halimi, deputeti i PD: Është pyetur komuniteti? Ata janë rreth 20 e ca mijë banorë. Përfshirë që torfa, me aq njohuri sa kam unë, e ka ndotjen shumë më të lartë se sa qymyri.Nisma e ministrisë së Energjisë parashikonte ndryshimin e statusit të një sipërfaqeje prej 288 hektarësh në ish-kënetën e Maliqit në Korçë, nga tokë bujqësore në zonë minerare.Bazuar në studimet gjeologjike dhe minerare, është përcaktuar se zona e ish-Kënetës së Maliqit përmban sasi të konsiderueshme torfash, materiale këto shumë të përshtatshme për djegie në impiante të prodhimit të energjisë elektrike.Për shfrytëzimin e torfave në zonën e ish-Kënetës së Maliqit, në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë kanë mbërritur disa kërkesa nga subjekte të ndryshme që kërkojnë të ndërtojnë një termocentral që prodhon energji për ngrohje serash e për ngrohje në qytetin e Korçës. Vlera totale e investimit është parashikuar të arrijë në 170 milionë euro. /Ora News/