Rehabilitimi i lumit të Tiranës, përfundon 70% të punimeve, mbyllet brenda vjeshtës

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rreth 70 përqind të punimeve për realizimin e projektit për rehabilitimin e lumit të Tiranës, i cili do t'i shërbejë më shumë se 1/3 të popullsisë së kryeqytetit. Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, projekti pritet të përfundojë para dimrit të ardhshëm, ndërsa theksoi se punët e Bashkisë nuk do të përqendrohen vetëm në zonën qëndrore të qytetit.Projekti i rehabilitimit të lumit të Tiranës i cili do t'i shërbejë më shumë se 1/3 të popullsisë së kryeqytetit është drejt përfundimit.Për të inspektuar nga afër punimet ishte kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili theksoi se lumi i Tiranës do të përfundojë para dimrit të ardhshëm, ndërsa theksoi se zona do të marrë një zhvillim krejt të ndryshëm nga ai i deritanishmi.Veliaj: Besoj se në vjeshtë do t’i përfundojmë këto 7 km dhe kjo zonë jo vetëm që nuk do të përmbytet më, por do të bëhet një nga zonat më tërheqëse të qytetit, pasi brigjet e lumit do të kthehen në park, në fusha sportive dhe në ambiente rekreative për gjithë qytetarët e Tiranës. Duke e kthyer këtë pjesë në fusha sportive, hapësira të gjelbëruara, pista vrapi, në zona rekreative për qytetin, u kemi shtuar vlerën e pronës rreth 100 mijë familjeve që jetojnë pranë zonës të Lumit të Tiranës dhe krejt papritur zona më e diskriminuar do të jetë një nga zonat më të privilegjuara të qytetit, për t’u siguruar që investimet nuk prekin vetëm zonat turistike ose qendrore dhe administrative të qytetit, por gjithë periferinë.Veliaj deklaroi se kolektori që po ndërtohet përgjatë kësaj zone do të menaxhojë ujërat e zeza, duke mos lejuar derdhjen e tyre në lumë.Sipas Kryebashkiakut, kantierët e ndërtimit të punëve publike që Bashkia e Tiranës ka hapur nuk do të përqendrohen vetëm në zonën qëndrore të qytetit.Veliaj: Edhe për ata që janë të vëmendshëm ndaj mjedisit dhe ndotjes, do të kemi një zgjidhje përfundimtare sa i përket ujërave të zeza në lumë. Jemi një komb i civilizuar, tallja me natyrën e cila na i kthen çdo gjë mbrapsht ka vazhduar shumë gjatë, ndaj edhe me përfundimin e kolektorit që ndjek punimet 7km në Bregun e Lumit, shpëtojmë një herë e mirë nga një kulturë që nuk na bënte aspak dinjitoze, të shkarkimit të gjithë ujërave të zeza në lumë. Më vjen mirë që kantieri më i madh i punimeve ndodhet në periferi të Tiranës. Puna ka nisur të marrë formë dhe brenda vjeshtës do të shohim gjelbërimin e kësaj zone dhe se si nga një potencial rreziku ajo do të kthehet në një potencial shfrytëzimi dhe çlodhje për qytetarët. Kemi bërë një hap jashtëzakonisht cilësor në menaxhimin e Tiranës.Kryebashkiaku theksoi se ky projekt i ka dhënë qytetit një park të ri, i cili bashkë me bulevardin e ri krijojnë atë që quhet parku "T": një park qendror në bulevard dhe një park në lumin e Tiranës, çka sipas tij mundëson shfrytëzimin e gjithë ngarkesës që mbizotëron në liqenin e kryeqytetit.