Hetimet për Shullazin, do verifikohen dy bashkëpronarët e "Vollgës", Ja kontrata e shitjes
Në pritje që Gjykata e Krimeve të Rënda të caktojë "masën e sigurisë" për Emiljano Shullazin, Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjeruar rrethin e hetimeve edhe për persona të tjerë. Krahas kërcënimit për gjobëvënie ndaj biznesmenëve, grupi hetimor, i cili drejtohet nga kreu i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmata kanë nisur të verifikojnë aftësinë paguese edhe të dy bashkëpronarëve të tjerë të ish-hotel Vollgës me mbiemër Kodra, të cilat kanë dhënë një shume prej 670 mijë euro për të blerë një pjesë ish-hotelit.
Ora News siguron ekskluzivisht kontratën e shitjes. Prokuroria ka dyshime se këta individë nuk kanë patur të ardhura të mjaftueshme për të bërë këtë blerje, ndaj ka nisur verifikimi për burimin e këtyre të ardhurave. Gjithashtu, po kryen verifikime dhe për shtetasin arab, i cili i ka dhuruar pjesën e tij të pasurisë Shullazit.
Emri i Emiliano Shullazit rezulton në dokumentet e pronarëve të ish-hotel Vollgës në Durrës ku në rrethana ende të paqarta, ish-pronari i kësaj godine ia ka dhuruar pjesën e tij Emiliano Shullazit. Ndërkohë, në lidhje me akuzën e kërcënimit krahas Mynyr Konit gjatë ditës së djeshme prokuroria ka marrë në pyetje edhe rektorin Dhori Kule, i cili ka qenë i pranishëm kur është kërcënuar kandidati për rektor Koni. Me provat e mbledhura deri tani mes të cilave edhe përgjimet që janë bërë muajt e fundit me vendim gjykate, prokuroria do të kërkojë në gjykatë masën "arrest me burg" për tre të pandehurit. Pas arrestimit të Emiliano Shullazit bëhet me dije se Prokuroria është duke hetuar të paktën dy raste, ku Shullazi ka përfituar apo ka kërcënuar për përfitim të një pasurie të paluajtshme.