Ekstradohet nga Madridi vëllai i Mandelës së Elbasanit
Një shtetas i dënuar për një sërë veprash kriminale në vitin 1997 në Elbasan dhe i përfshirë në bandën me të njëjtë emër (Banda e Elbasanit) u ekstradua sot nga Madridi. Vladimir Peqini, 51 vjeç lindur në Elbasan ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi gjykata e Elbasanit e kishte dënuar me 25 vite burg për një sërë veprash penale, siç janë vrasjet me paramendim, asgjësim kufomash dhe vepra të tjera.“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 105, datë 20.09.1999, e ka dënuar me 25 vjet burgim për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje në banda të armatosura”, “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë”, “Asgjësim të kufomës’, “Tentativë të vrasjes me paramendim”,dhe “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga nenet 334/1 dhe 334/2 të Kodi Penal të Republikës së Shqipërisë”, sqaron Policia e Shtetit.Peqini është vëllai i të ashtuquajturit, “Mandela i Elbasanit”, Eduard Peqini i dënuar si kreu i bandës me burgim të përjetshëm./Ora News/