Samiti i Parisit, Haxhinasto i prezanton Vlahutin strategjinë kombëtare të transportit
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, zhvilloi sot një takim me Ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin.Çështja kryesore e takimit ishte përgatitja për Samitin e ardhshëm të Parisit në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili pritet të ketë arritje konkrete për realizimin e rrjeteve të energjisë dhe të transportit për Rajonin.Ministri Haxhinasto dhe Ambasadorja u ndalën në çështjen e të ashtuquajturave masave të buta, që synojnë përmirësimin e kuadrit ligjor për liberalizimin e mëtejshëm të shërbimeve të transportit mes vendeve të rajonit.Së afërmi, pritet të përfundojë një protokoll marrëveshje, midis palës shqiptare dhe asaj malazeze, për sektorin e hekurudhor.Me rëndësi është edhe zgjerimi në rajon i eksperiencës shqiptaro-malazeze për një pikë të përbashkët kufiri dhe doganore, model i vlerësuar edhe nga komisionerët e Fqinjësisë dhe të Transportit të BE, Johanes Hahn dhe Violeta Bulc.Ministri dhe Ambasadorja Vlahutin diskutuan gjithashtu për rëndësinë e një mekanizmi koordinues rajonal, në funksion të realizimit të projekteve të infrastrukturës rajonale dhe veçanërisht, për filtrimin e thithjen e investimeve të huaja private në këto projekte.Në prezencë të Ambasadores në Ministrinë e Transporteve dhe Infrastrukturës, është bërë prezantimi i strategjisë kombëtare të transportit.Ministri Haxhinasto ka kërkuar nga konsulenca ndërkombëtare që strategjia kombëtare e transportit, të konkludojë në një listë të prioritarizuar të projekteve për secilin nga nënsektorët e transportit rrugor, hekurudhor, ajror e detar.Si dhe të realizohet edhe kostimi i të gjithë ndërhyrjeve në fushën e legjislacionit apo edhe të ndërhyrjeve në infrastrukturën fizike.Ambasadorja Vlahutin, theksoi se kjo strategji është e domosdoshme për mbështetjen e ardhshme nga ana e BE, për sektorin e transportit në Shqipëri.