Integrimi në BE, Tanja Fajon: Mbështetje Shqipërisë për hapjen e negociatave
Eurodeputetja, Tanja Fajon, deklaroi në Tiranë se Shqipëria ka bërë progres të jashtëzëkonshëm në rrugën e Integrimit europian dhe premtoi të gjithë mbështetjen e saj në këtë proçes.Në krah kryeministrit Edi Rama në një bashkëbisedim me të rinj të zhvilluar në Qendrën për Hapje e Dialog, raportuesja që udhëhoqi proçesin e liberalizimit të vizave, Fajon tha se vendi i Shqipërisë është në BE dhe kjo është në interes të vetë bllokut.Fajon: Ne po përpiqemi t’ju mbështesim sëbashku me kolegët në Parlamentin Europian, të mbështesim datën e hapjes të negociatave. Shqipëria për mua ka qenë gjithnjë pjesë e Europës dhe gjithnjë do të jetë pjesë e Europës. Na duhet Shqipëria, i nevojitemi njëri-tjetrit dhe kjo është arsyeja pse besoj fort që për brezat e rinj, sidomos na duhet të përqendrohemi, duke qenë se ata meritojnë më mirë. Janë ata, të cilët në të ardhmen do të formësojnë fatet e vendeve tona. Kur brezat e rinj në vendin tuaj, do të kenë vizionin, kjo nënkupton që dhe vetë vendi ka një të ardhme. Për këtë arsye, ne po punojmë fort në Parlamentin Europian për të nxitur perspektivat e të rinjve.Kryeministri Edi Rama foli për një rëndësi jetike të proçesit të integrimit, si një instrumenti i shtetit modern.Rama: Pa procesin e integrimit Shqipëria do ta kishte të pamundur që të hidhte hapat që ka hedhur, aq sa ka hedhur dhe do ta kishte të pamundur që të synonte që të bëhej një vend modern, që të ndërtonte një shtet normal. Procesi i integrimit është instrumenti i vetëm dhe i pazëvendësueshëm, i patjetërsueshëm që ne kemi si shoqëri, për t’u bërë një shtet modern. Sepse është i vetmi instrument që mund ta mbajë Shqipërinë të fokusuar tek një qëllim i madh dhe pavarësisht gjithë luhatjeve, pavarësisht gjithë energjive të çuara dëm dhe pavarësisht të gjithë konfliktualitet të natyrshëm, - që ne pastaj e ekzagjerojmë në mënyrë të panatyrshme, - do të vazhdojë të jetë e bashkuar në këtë proces.Por për kreun e Qeverisë shqiptare, BE mbetet ende një projekt jo i plotë dhe vetë Europa duhet të ndryshojë.Rama: Është BE që i bën të gjitha palët të vetëdijshëm se ajo është rruga e të nesërmes dhe që e bën shumë më të lehtë rrugën e paqes. Ashtu sikundër varet shumë nga BE dhe nga mënyra sesi do të zhvillohet historia aktuale e Europës, sesa ne do të jemi mirë nesër. Për këtë arsye, projekti europian është një projekt i të rinjve në radhë të pare.Eurodeputetja dhe Kryeministri shqiptar përcollën mesazhin e përbashkët për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes dhe të angazhimit më aktiv të të rinjve në jetën shoqërore dhe lidhjen mes vendeve.