Meta drekë pune me Avramopoulos: Do të veprojmë me solidaritet dhe përgjegjësi për emigrantët

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, në vijim të takimeve në Tiranë, zhvilloi edhe një bisedë me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Kryeparlamentari i ka shtruar edhe një drekë pune zyrtarit evropian, teksa kanë diskutuar për krizën e refugjatëve dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë evropiane.Gjatë bisedës, Meta vuri në dukje se kjo është një krizë e paprecedentë që kërkon një përqasje më të koordinuar evropiane. Në këtë drejtim, Meta theksoi se Shqipëria është një vend evropian, dhe si i tillë do të kontribuojë në përballimin e kësaj krize me solidaritet dhe përgjegjësi evropiane, brenda kapaciteteve të saj.Meta nënvizoi se Shqipëria është e gatshme të kontribuojë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e saj evropianë, duke përforcuar njëkohësisht kapacitetet e saj humanitare, strukturat e sigurisë, inteligjencës, regjistrimit dhe vetimit të refugjatëve që mund të kalojnë nga territori i saj.Nga ana e tij, komisioneri Avramopoulos vuri në dukje se Shqipëria ka jo vetëm një eksperiencë të gjerë historike në përballimin e krizave humanitare, por edhe një përqasje evropianiste ndaj krizës aktuale që ka prekur rajonin dhe vendet e tjera të BE-së.Në përfundim, Meta dhe Avramopoulos biseduan edhe mbi luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme dhe ndanë bindjen se miratimi i ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë si dhe një bashkëpunim më i ngushtë me strukturat evropiane si Europol, do të kontribuojnë në rritjen e ndjeshme të luftës së Shqipërisë ndaj këtyre fenomeneve negative./Ora News/