Renzi: BE-ja të sillet me Shqipërinë dhe Libinë njësoj si me Turqinë

“Sot po tentojmë një marrëveshje me Turqinë për të ndihmuar Gjermaninë në frenimin e fluksit të emigrantëve. Deri këtu gjithçka është në rregull. Por, duhet të jetë e qartë se ajo ç’ka po vendoset sot do të krijojë një precedent”. Deklarata bëhet nga kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, i cili mori pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian, ku po diskutohet për problematikat e përballimit të krizës së emigrantëve. Renzi shpreh preokupimin e Italisë për zbarkimet e fundit të emigrantëve të nisur nga Libia si dhe për flukset e mundshme të emigrantëve sirianë, afganë e irakianë nga Shqipëria, për shkak të mbylljes së rrugës ballkanike.Renzi: Rregullat që do të adoptohen për Turqinë, duhet të jenë të vlefshme dhe për vendet e tjera, ku pritet të përfshihen nga fluksi i emigrantëve. Marrëveshja me Turqinë i garanton qeverisë së Ankarasë fonde e lehtësira me kusht që të mbaj emigrantët. Por, Evropa duhet të demonstrojë të njëjtën sjellje dhe ndaj vendeve si Shqipëria, Mali i zi, Maqedonia e Libia.Për sa i përket çështjes së riatdhesimeve të emigrantëve dhe ngritjes së qendrave të kontrollit e identifikimit të tyre, kryeministri italian shprehet se "Italia qendrat hotspot i ka ngritur”, por deri më sot-për sa i përket shpërndarjes së emigrantëve e riatdhesimit të tyre-është bërë shumë pak. “Është momenti të aktivizohen vendimet e marra, përndryshe Evropa do shndërrohet në një inkubator", shtoi ai./Ora News/renzi