Sitnica në Mitrovicë del nga shtrati, përmbyten shtëpi dhe qindra hektarë tokë
Reshjet e shiut në qytetin e Mitrovicës kanë bërë që lumi Sitnica të vërshojë duke përmbytur disa shtëpi dhe qindra hektarë tokë bujqësore.Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, tha se situata është mjaftë serioze dhe se fryrja e lumit Sinica po vazhdon, gjë që paraqet rrezik serioz për vërshim shumë më të mëdha të shtëpive dhe bizneseve që shtrihen përgjatë lumit.Sipas tij, nga Tuneli i Bairit e deri në fshatin Frashër, janë vërshuar disa qindra hektarë tokë të punueshme, kështu që e tërë ajo hapësirë që shtrihet nga lumi Sitnica, në gjerësi disa qindra metra deri në hekurudhë dhe gjatësi prej rreth dy kilometra, është e mbuluar e tëra me ujë.Ai ka bërë të ditur se Sitnica ka vërshuar edhe 4-5 shtëpi në Lagjen “2 Korriku”, afër urës kryesore mbi këtë lum, në hyrje të qytetit, ndërsa është duke rrezikuar edhe Parkun e Bizneseve, që gjendet në anën e kundërt të lumit.Sipas tij, shiu ka dëmtuar edhe rrugën që lidh “Lagjen e Doktorëve” me “Kroin e Vitakut” në veri të qytetit, ku gjysma e rrugës së asfaltuar është shembur tërësisht dhe paraqet rrezik për qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve.Ai shtoi se situata pritet të vështirësohet edhe më shumë dhe kjo paraqet rrezik jashtëzakonisht të madh për njerëzit që jetojnë në shtëpitë përgjatë lumit.Dragaj ka ftuar banorët që të jenë të kujdesshëm dhe të lajmërojnë Drejtorinë për rrezikun që iu kanoset, pasi zyrtarët e saj do të jenë vazhdimisht në gjendje gatishmërie për të ndihmuar. /KosovaPress/
