“Të pastrojmë Tiranën”, Veliaj: Ta duash mjedisin vetëm me protesta, nuk mjafton

Një ditë para festës së Ditës së Verës, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë aksionin e radhës për pastrimin e kryeqytetit.Aksioni vullnetar nisi nga rruga  “Dërvish Luzha”, prej ku kreu i Bashkisë Erjon Veliaj  u bëri thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e kësaj nisme.Një apel Veliaj pati edhe për ata që kundërshtojnë iniciativat e institucionit që ai drejton në emër të mbrojtjes së mjedisit. Veliaj:  Nesër është një ditë feste, “Dita e Verës”, por si në çdo datë të shënuar, është e rëndësishme që ajo të na e gjejë shtëpinë pastër. Siç secili prej nesh pastron shtëpinë e vet, ashtu edhe Tirana e madhe duhet të funksionojë si një familje, që e pastron shtëpinë me themeli përpara se të hyjmë në një stinë të re. Nëse e doni mjedisin, natyrën, pemët, pastërtinë, ejani në pastrim! Ta duash mjedisin vetëm me fjalë, me të bërtitura e protesta, nuk mjafton. Ai që e do, e do me fakte dhe punë. Faleminderit të gjithëve për punën dhe faktin që e doni me vepra konkrete.Qytetari i parë i Tiranës premtoi se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i landfilldit në Sharrë, që do ti japë zgjidhje trajtimit të mbetjeve për kryeqytetin.Veliaj: Këtë vit Bashkia do të fillojë një proçes gjigand që është proçesi i një landfilldi të ri dhe menaxhimi të ri plehrash në Sharrë që do të zgjidhë dhe një krizë që ka mbetur pezull në katër vitet e fundit, pa një vendimmarrje. Tashmë, kemi marrë një vendim dhe bashkë me BB dhe IFC, ne do të hyjmë në një proces konkurrimi publik, për të ofruar zgjidhjen më të mirë të trajtimit të mbetjeve e mbeturinave në qytetin e Tiranës. Krahas apelit për pjesmarrje në aksionin e pastrimit, Veliaj kërkoi edhe njëherë nga qytetarët të jenë më të kujdesshëm me mënyrën sesi trajtojnë mbetjet e tyre.