Miratohet marrëveshja Shqipëri-Serbi për transportin ndërkombëtar rrugor

Qeveria ka miratuar në parim marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë për transportin ndërrkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave.  Vendimi u mor sot në mbledhjen e qeverisë."Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave vendosi:     Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë."Po ashtu në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua krijimi i bazës së të dhënave shtetërore për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit (SHKP). Baza e të dhënave të SHKP-së quhet Sistemi i Shërbimeve të Punësimit (SSHP).Një vendim tjetër ishte edhe caktimi i nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia,e  cila do të jetë 11 mijë lekë në  muaj.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 2 e 3, të nenit 54, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Niveli bazë i së ardhurës nga papunësia të jetë 11 000 (njëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në grupin 25, titull 10550 kap.1, Art 606 “E ardhura nga papunësia”.
3. Vendimi nr.562, datë 3.8.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.