Kaos te Tirana, Veliaj: Mblidhni urgjent asamblenë e klubit

Pas nënkryetarit të LSI Petrit Vasili i cili kërkoi që Bashkia të kthejë vëmendjen nga klubi i Tiranës, tashmë kanë qënë këshilltarët bashkiak të kësaj force politike ata që nëpërmjet një shkrese zyrtare kërkojnë investime nga ana bashkisë për skuadrën bardheblu.Pas levizjeve të fundit të LSI për sa i përket gjendjes së skuadrës bardheblu vjen reagimi i Bashkisë së Tiranës."Nisur nga shqetësimet e ditëve të fundit mbi situatën financiare të klubit të futbollit "Tirana", Bashkia e Tiranës dëshiron të sqarojë opinionin publik, por edhe të gjithë tifozët, se klubi funksionon si një ndërmarrje aksionare dhe bashkia është në minorancë, duke qenë se zotëron vetëm 34% të aksioneve të klubit. Gjatë kësaj kohe, klubi "Tirana" ka marrë në përdorim nga Bashkia e Tiranës edhe një grup asetesh si: Stadiumi "Selman Stërmasi" dhe stadiumi "Skënder Halili", të cilët respektivisht janë të pajisur me nga një terren sportiv dhe fusha trajnimi."Megjithatë, prej disa javësh, kryetari i Bashkisë së Tiranës u ka kërkuar shumicës së aksionerëve të sport klubit "Tirana", të cilët përfaqësohen nga administratori, z. Refik Halili, që të zhvillojnë sa më shpejt mbledhjen e asamblesë së klubit për të marrë vendimet e nevojshme lidhur me situatën aktuale financiare, si pasojë e një drejtimi jo të mirë menaxherial.Pikërisht, për këtë arsye, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh sot se "Kur dëgjoj gjëra të natyrës:"Na duhen 130 mijë euro për një lojtar që ka luajtur vetëm 7 minuta në Shqipëri', sigurisht që paratë e taksapaguesve të Tiranës, nuk mund t'i administroj shkel e shko. 130 mijë euro për 7 minuta, besoj as Ronaldo nuk i kërkon! Ajo që kam kërkuar e premtuar si kryetar bashkie është që t'i ndihmojmë të gjitha ekipet".