Interesi i bonove zbret në minimumin historik të 1.71%, përfiton qeveria
Të investosh në bono thesari nuk është më me leverdi. Interesi i bonove 1 vjeçare preku në ankandin e fundit minimumin e ri historik të 1.71%. Ekspertët e shpjegojnë rënien e vazhdueshme të interesit të bonove me uljen e normës bazë nga Banka e Shqipërisë, tkurrjen e huamarrjes nga qeveria dhe fluksin e madh të parasë në gjendje të lirë që kanë kryesisht bankat. Duke shpjeguar se nga kjo situatë përfiton qeveria dhe humbasin qytetarët, ata u rekomandojnë këtyre të fundit gjetjen e formave të reja të investimeve, duke marrë përsipër riskun.Bonot e thesarit nuk mund të quhet më një alternativë e leverdishme investimi.Në ankandin e të fundit, interesi i bonove 1 vjeçare ka zbritur në minimumin e ri historik të 1.71%.Interesi i tyre ka pësuar rënie të ndjeshme muajt e fundit.Në nëntor të vitit të kaluar, interesi i bonove 1 vjeçare ishte 2.8%, në dhjetor zbriti në 2.5%, janar të këtij viti në 2.2% dhe tashmë në 1.71%. Por pse ka ndodhur kjo situatë?Elvin Meka:Është në vijim të prirjes rënëse të normës bazë, jo vetëm bankat por edhe individët do të kenë gjithmonë e më shumë para të lirë. Deri në vitin 2017-2020 qeveria planifikon të ulë stokun e borxhit. Kemi jo vetëm një ofertë më të vogël nga ana e qeverisë, por dhe një kërkesë të shtuar të tregut. Trendi do të jetë gjithmonë në zbritje.Në kushtet kur t’i mbyllësh paratë në banka apo t’i investosh në bono thesari nuk garaton më fitim, ekspertët këshillojnë gjetjen e formave të reja të investimit, duke marrë përsipër edhe riskun.Elvin Meka: Ulja e normës bazë të interesit e kështu me radhë ka synuar pikërisht këtë gjë, që paratë të shpenzohen.I paleverdisshëm investimi në bono është edhe për bankat. A do të shërbejë kjo që ato të rrisin kreditimin, çka do të ndihmonte ekonominë?Elvin Meka: Një presion i tillë patjetër që edhe mbi bankat do të ndihet. Nuk mund të kemi një lidhje simetrike midis rënies së normës së interesit dhe ritmit të rritjes së huasë nga ana tjetër.