Greva e avokatëve, bojkot të gjitha gjyqeve, asnjë sinjal nga qeveria
Mbeten ende pa përgjigje kërkesat e avokatëve, të cilët kanë hyrë në ditën e dytë të bojkotit. Edhe këtë të enjte janë zhvilluar vetëm seancat e masave të sigurisë dhe ato që kanë palë avokaturën e shtetit ndërkohë vetem në Tiranë numërohen rreth 500 gjyqe të shtyra për 48 orë që prej nisjes së grevës së paralajmëruar tre ditore. Avokatët në të gjithë vendin kanë bojkotuar edhe këtë të enjte gjyqet duke u futur në ditën e dytë të protestës së tyre kundër vendimeve të qeverisë për rritjen e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore.Bojkoti është zhvilluar në të gjitha shkallët e gjyqësorit ndërsa nga një vëzhgim i Ora News vihet re se të vetmet gjyqe që janë zhvilluar janë ato që kanë palë avokaturën e shtetit dhe seancat e masave të sigurisë .Pothuajse në të gjitha proceset taktika ka qënë e njëjtë, avokatët kanë bërë një ditë më parë kërkesa për shtyrje ndërsa në disa seanca të tjera me të pandehur ata kanë kërkuar që gjyqi të mos zhvillohet pa praninë e avokatëve të zgjedhur prej tyre.Për dy ditë vetëm në Tiranë numërohen afërsisht rreth 500 seanca të shtyra në të trija shkallët e gjyqësorit ndërsa e njejta situatë pritet të vijojë edhe ditën e premte.Një ditë më parë Këshilli i Dhomës Avokatisë vendosi të marrë një kontakt me Ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani, ndërsa kreu i avokatëve Maksim Haxhia nuk përjashtoi mundësinë që greva mund të jetë edhe më e gjatë./Oranews.tv/