Ligji i dekriminalizimit, Bylykbashi: Amendimet tona parimore, veprimi i Prengës nul
Veprimi i deputetit Prenga për tu vetëpezulluar nga Kuvendi për demokratët është një veprim nul.Pas refuzimit që Konferenca e Kryetarëve i bëri kërkesës së PD për të bërë disa amendime të ligjit të dekriminalizimit, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se propozimi synon të mos lejojë njerëz të arrestuar në flagrancë të bëhen pjesë e parlamentit.Oerd Bylykbashi: Ajo që kërkojmë ne është një diçka plotësisht parimore, po kërkojmë një ndryshim që është plotësisht i bëshëm sot, i mitratueshëm nga parlamenti. Në aspektin teknik nuk ka asnjë pengesë. Ajo që ne kërkojmë është, ndryshimet sot në ligjin për dekriminalizimin në mënyrë që deputetë dhe funksionarë të këtij niveli të mos jenë në parlament, të mos ushtrojnë funksion publik kur janë të arrestuar në flagrancë për krim, për vrasje ose plagosje. Nuk mundet që një person i tillë të ushtrojë një funksion publik që kërkon besimin publik. Ajo që kërkojmë është që me ligj kjo kategori të përjashtohet menjëherë nga parlamenti në ushtrimin e funksionit, pra të pezullohet në ushtrimin e funksionit derisa të marrë një vendim gjykata.Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa kaq, është ndryshim parimor, është një proçedurë e ndjekur tashmë nga mazhoranca. Ju kujtoj ndryshimet e momentit të fundit në ligjin për reformën territoriale, ku për të akomoduar kërkesat e PDIU-së së Shpëtim Idrizit u ndryshua ligji duke krijuar njësi fare të vogla në kundërshtim me standartet. Kurse ajo që kërkojmë ne është diçka parimore, largimi i personave kriminelë të arrestuar në flagrancë për vrasje ose plagosje nga parlamenti. Është kaq e thjeshtë, çdo gjë tjetër është kacavjerrje mbi xham vetëm e vetëm për të mbrojtur kriminelët. Vetëpezullimi nuk ekziston as si kriter ligjor dhe aq më pak si kriter kushtetues, për rrjedhojë vlera është nul.