Refugjatët sirianë, Gjosha: Një numër i madh presin të hyjnë në Shqipëri
Refugjatët sirianë pritet të dynden drejt Shqipërisë nga kufiri jugor. Qeveria për herë të parë përmes ministres Gjosha pranon realitetin e ri se kriza e refugjatëve do të prekë dhe vendin tonë.Ajo që deri dje dukej e largët tashmë po bëhet realitet. Një numër i madh refugjatësh sirianë presin të hyjnë në tokën shqiptare. Ky fakt u konfirmua nga Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha e cila mori pjesë në ceremoninë e mbylljes së programit ndërkufitar Greqi Shqipëri, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori grek Leonidas Rokanas.Klajda Gjosha: "Jam e informuar sot që ka një numër të madh Sirianësh që presin të hyjnë në Shqipëri. Për mendimin tim, qeveria do të jetë e gatshme të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme duke mos ndërtuar asnjë mur kundrejt këtyre refugjatëve, që kërkojnë të hyjnë në vendin tonë.”Duke garantuar se vendi ynë nuk do të ngrejë mure dhe barriera, Gjosha kërkoi bashkëpunimin e vendeve fqinje por edhe të BE.Klajda Gjosha: “Ajo që është e rëndësishme, është që të ketë një bashkëpunim shumë të madh me të gjithë vendet fqinje, dhe në këtë rast me Greqinë por edhe me vendet anëtare të Bashkimit Europian, sepse ky duhet të jetë një projekt i përbashkët. Dua të theksoj sërish që të gjithë ata persona që presin të hyjnë në Shqipëri është mirë që të kenë një regjistrim të posaçëm dhe të identifikohen, kjo për arsye sigurie të vendit".Aktualisht policia kufitare në Kapshticë e Kakavijë ka shtuar kontrollet në kufi, ku 24 orët e fundit ka pasur tentativa të disa shtetasve pakistanezë për të kaluar në mënyrë të paligjshme përmes Shqipërisë në Malin e Zi./Oranews.tv/