“Babai i euros” kundër monedhës, ish-ministri: Braktiseni, shmangni katastrofën
Oskar Lafontaine, ish-ministri gjerman i Financave, i cili njihet ndryshe edhe si themeluesi i euros, ka paralajmëruar se përdorimi i mëtejshëm i valutës së përbashkët europiane do të sjellë katastrofën, raporton Associated Press. Sipas tij, mënyra e vetme për të dalë nga kriza mund të gjendet në braktisjen e euros."Situata ekonomike është duke u përkeqësuar çdo muaj, ndërsa shkalla e papunësisë ka vënë gjithnjë në pikëpyetje efektivitetin e strukturave demokratike në Evropë. Gjermanët nuk e kanë kuptuar akoma se Evropa jugore, përfshirë Francën, për shkak të krizës ekonomike në të cilën gjendet, herët a vonë do të jetë e detyruar të përballet me hegjemoninë gjermane”, tha Lafontaine.Sipas tij, kancelarja gjermane Angela Merkel do të zgjohet nga gjumi i saj prepotent atëherë kur shtetet me probleme do të bashkohen dhe do t’i zgjidhin krizat e tyre financiare në kurriz të Gjermanisë."Ishin të kota shpresat se krijimi i euros do të inkurajojë sjelljen racionale të ekonomive kombëtare”, theksoi Lafontaine, duke shtuar se ishte katastrofal detyrimi i Spanjës, Portugalisë dhe Greqisë për të bërë zhvlerësim të monedhës vendase.Lafontaine është quajtur njeriu më i rrezikshëm në Europë nga gazeta britanike The Sun, pasi më 1998 bëri thirrje për bashkimin e Evropës dhe fshirjen e kufijve kombëtarë.Pothuajse njëkohësisht me pretendimet e Lafontainit, u shfaq edhe deklarata e ministrit francez të Financave, Pierre Moskovic, i cili këtë fundjavë tha:"Mbaruam me kursimet. Kjo është një pikë kthese, vendimtare në historinë e Bashkimit Evropian, të tillë që nuk kemi parë që nga futja e euros në përdorim. Dogmës së kursimeve i erdhi fundi. Kjo është fitore e pikëpamjes franceze për situatën”, ka thënë Moskovic.