Siria reagon ndaj sulmeve të Izraelit: Të gjitha mundësitë e hapura, rajoni në rrezik
Qeveria e Sirisë paralajmëron se sulmet ajrore të Izraelit të Damask i hapën rrugën të gjitha mundësive. Ministri sirian i Informacionit, Omran al-Zoubi tha gjatë një konferencë për shtyp, se agresioni izrael krijon tensione dhe e bën rajonin më të "rrezikshëm".Reagimi zyrtar i Sirisë erdhi pasi Izraeli ndërmori mëngjesin e së dielës një sulm mbi një objektiv ushtarak në Damask. Ky ishte sulmi i dytë nga ana e shtetit hebre mbi Siri brenda javës. Ndërkaq, edhe komuniteti ndërkombëtar ka reaguar në lidhje me tensionet në rritje mes Sirisë dhe Izraelit.Liga Arabe dënoi ashpër sulmet dhe i kërkoi "Këshillit të Sigurimit që të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar sulmet izraelite në Siri. Sipas Ligës Arabe sulmet janë "një shkelje e dhunshme e sovranitetit të shtetit arab."Presidenca egjiptiane dënoi gjithashtu sulmet duke thënë se ato shkelin "ligjet ndërkombëtare dhe se mund të nxisin komplikimin e situatës". Sekretari britanik i Jashtëm, Uilliam Hague reagoi gjithëashtu për sulmet. Ai tha se kjo situatë tregon se paqja në të gjithë rajonin është e kërcënuar.Hague tha se Britania e Madhe nuk ka ende një konfirmim nëse sulmet u ndërmorën nga Izraeli, ndaj edhe do të presë para se të bëjë komente të tjera. Por për Hague "ngjarjet e ndodhura ditët e fundit tregojnë se i gjithë rajoni është i rrezikuar nga kriza në Siri, e cila vijon të thellohet".Sipas medias shtetërore siriane në qendër të sulmit të së dielës ishte një qendër kërkimore e ushtrisë në afërsi të Damaskut. Ndërsa banorët e zonës i thanë rrjetit britanik BBC se pozicionet ushtarake aty pranë ishin qëlluar gjithashtu.