Kryebashkiaku Kapri denoncon shkelje në ndërmarrjen e Ujësjellësit

Kreu i Bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri ka denoncuar një shkelje në ndërmarrjen e Ujësjellësit. Nëpërmjet një komunikate për mediat, kryebashkiaku Kapri ka deklaruar se është konstatur dyfishim i personelti dhe shpenzim për paga për të në mënyrë të pajustifikueshme.“Me marrjen e detyrës nga organet e reja, u konstantua një rritje e pajustifikuar e personelit të kësaj ndërmarrje bashkë me pagat e tyre. Nga tetori i vitit 2015 e deri në shkurt 2015, numri i punonjësve shkoi nga 94 që ishte në 171 dhe shpenzimet për paga u rritën nga 32.5 milionë lekë në 75 milionë lekë. Administrator i kishte vendosur vetes një pagë prej 2.5 milionë lekësh të vjetra, aq sa paguahet kryeministri i vendit. Nga konstatimi u pa se një pjesë e punonjësve nuk paraqiteshin fare në punë dhe të tjerë që nuk e justifikonin duke çuar në vendimin e Këshillit të Administrimit për shkurtimin e tyre dhe rishikimin e pagave deri në përgjysmim”, thuhet në deklaratën e Kaprit."Nisur nga kjo vendimarrje, persona me precedentë penale si Meardi Berberi (  i njohur si Koro) i cili ishte me detyrën e përfaqësimit juridik i ndërmarrjes, ushtroi presion duke demonstruar edhe armë zvarri ndaj drejtorit të ndërmarrjes.Në lidhje me këtë kanosje- shprehet Kapri- nga ana e administratorit u bë kallëzimi penal në Polici. U bëj thirrje organeve përkatëse të veprojnë në lidhje me këtë ngjarje ku do të informohet edhe Presidenti i Republikës, Kryeprokuori dhe ambasadat e huaja.Gjej rastin që ti bëj thirrje deputetit Taulant Balla që përpara se të akuzojë të informohet mirë për Pogradecin dhe të marrë informacionet e duhura për punësimet në ndërmarrjen e Ujësjellësit, ku mund të përmendim Ilir Berberin ( ose Lili siç njihet ndryshe) i cili nuk e njihte derën e ndërmarrjes."