Greqi, fermerët protestojnë përpara parlamentit
Mijëra qytetarë grekë, shumica e të cilëve fermerë, kanë protestuar për ditën e dytë radhazi përballë ndërtesës së Parlamentit. Grumbullimi i tyre ka qënë paqësor dhe nuk ka patur incidente. Qytetarët janë shprehur se nuk do të pranojnë reformën e pensioneve si dhe masat e tjera shtrënguese ekonomike."Me reformën e re, ne do të paguajmë 27% të fitimit për pensionet dhe 26 përqind për taksat. Kjo do të thotë se ne humbasim gjithsej 53% të të ardhurave. Nëse shtojmë këtu shpenzimet e tjera, përfshirë kostot e prodhimit, krahun e punës, e shumë shërbime të tjera, praktikisht ne mbetemi pa asgjë. Si supozohet që të mbijetojmë?"Fermerët nga e gjithë Greqia kundërshtojnë reformat e planifikuara të qeverisë në skemën e pensioneve, të cilat rritin me trefish kontributet e tyre të sigurimit social dhe rrisin gjithashtu tatimin mbi të ardhurat, të cilat deri tani kanë qenë të subvencinuara tërësisht nga shteti.Më herët këtë javë, Tsipras tha se ai ishte i gatshëm të zhvillojë bisedime me fermerët për një ndryshim të lehtë të detyrimeve, por ata kundërshtuan propozimet e tij. Greqia mori 86 miliardë euro nga kreditorët ndërkombëtare, duke premtuar në këmbim të reformave./Oranews.tv/