"Titanik" rasti i parë i Speciales në Maqedoni, kërkohet arrest për tetë persona
Katica Janeva ka hapur hetim për tre lëndët e para të bombave dhe kërkoi paraburgim për 8 persona për të cilët kanë dyshim të bazuar se kanë kryer disa vepra penale lidhur me manipulimet zgjedhore.Jo zyrtarisht tanimë është arrestuar kryetari i Pustecit, Edmond Temelko, ndërsa dy nga të kërkuarit janë jashtë vendit. Për cilët persona kërkohet paraburgim dhe kush për çfarë dyshohet, nga Prokuroria Speciale nuk treguan.Duke përshkruar njërën prej lëndëve, prokurorja kompetente, Fatime Fetai, nuk la shumë hapësirë për dyshim se në mesin e të dyshuarve kryesorë janë ish ministrat Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski si dhe sekretari i Qeverisë, Kirill Bozhinovski.“Ndërkaq në vitin 2012, të dyshuarit të cilët kanë qenë në cilësinë e ministrit të brendshëm, ministrit për transport dhe lidhje dhe sekretarit të qeverisë së RM-së, të gjithë anëtarë të komitetit ekzekutiv të partisë, së bashku me persona tjerë, tani për tani të panjohur, duke shfrytëzuar ndikimin e tyre real dhe pozitën zyrtare, ndërsa për shkak të qëndrimit të mëtutjeshëm të partisë në pushtet, edhe në nivel lokal edhe në nivel shtetëror në veçanti për shkak të privilegjeve të tyre të drejtpërdrejta nga praktikimi i pushtetit, kanë krijuar grup i cili ka pasur për qëllim kryerjen e veprave penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, për të cilët vepra penale mund të shqiptohet dënim me burg prej tre viteve ose dënim më i lartë. Grupit të njëjtë, pas krijimit të tij, i janë kyçur personat e tjerë të dyshuar, dëshmitarë dhe persona të panjohur deri më tani, për shkak të fitoreve në zgjedhje të partisë politike, kanë përgatitur plan që në mënyrë kundërligjore t’u mundësojnë më shumë personave të shfrytëzojnë të drejtën e votës, veprime të cilat sipas planit do të realizoheshin përmes personave zyrtarë, të punësuar në Ministrinë e punëve të brendshme në RM, dhe persona që drejtpërdrejtë do të sjellin njerëz nga jashtë me realizim përmes sektorit për informatik dhe telekomunikacion në MPB, më pas përmes dhunës dhe veprimeve tjera kundër juridike gjatë fushatës zgjedhore dhe ditëve të zgjedhjeve, të ndikojnë lidhur me mënyrën se si të kryhet e drejta e votës dhe të pengojnë kryerjen e të drejtës për votë, në procesin zgjedhor personave me të drejtë vote, të ofrojnë, japin dhe premtojnë dhuratë ose ndonjë benefit tjetër me qëllim që ti përfitojnë se si ta kryejnë të drejtën e votës dhe të shfrytëzojnë mjete joligjore për financimin e fushatës, plan të cilin e kanë pranuar të dyshuarit tjerë, dëshmitarët dhe persona tjerë të panjohur deri më tani, ku në suazat e grupit edhe krijuesit edhe pjesëtarët kanë pasur rol konkret, role të cilat hollësisht janë përshkruar në urdhrin për zbatimin e procedurës hetimore. Nga kjo del se bëhet fjalë për kriminalizim të plotë të procesit zgjedhor, me dhënie joligjore të letërnjoftimeve dhe vendosjen në Listën e zgjedhësve të personave që me asnjë bazë nuk guxojnë të figurojnë. Ndryshe, disa persona janë fotografuar në një qytet ndërsa letërnjoftimin e kanë marrë në qytet tjetër, gjegjësisht në komunën Qendër, kuptohet edhe në listën e zgjedhësve janë atje, edhe kanë votuar më pas janë përcaktuar 15 mijë numra të ri amë, këtu të mos krijohet huti, nuk bëhet fjalë për foshnja janë përgatitur 35 mijë letërnjoftime që nuk janë marrë nga aplikuesit, dhe askush nuk e di pse qëndrojnë në MPB, kemi edhe 60 mijë shtetas të rinj të Maqedonisë, ndërsa kur jemi te diaspora, dhe roli i përfaqësive konsulare, për të do të hapet lëndë e veçantë, siç do të thoshte zotëria i respektuar Pribe”, deklaroi Fatime Fetai, Prokurore në Prokurorinë Speciale publike.Përveç për personat e përmendur hetim është hapur edhe kundër pesë gjykatësve nga gjykata administrative në Shkup dhe katër anëtarëve të KSHZ-së nga viti 2013 për veprën penale-keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizim. Hetim ka edhe për anëtarë të Komisionit komunal të Çairit për veprën mashtrim zgjedhor.Prokuroria Speciale shfrytëzoi rastin që të paralajmërojë se do ti kërkojë edhe dy lëndë nga Prokuroria e Marko Zvërlevskit. Bëhet fjalë për lëndë ku janë inkriminuar ish presidenti dhe kryeministri Branko Crvenkovski, ish kryeministri Vllado Buçkovski, por edhe funksionarë të lartë të BDI-së dhe VMRO DPMNE-së.“Ndërkaq, në suazat e kësaj Prokurorie publike në bazë të bisedave të publikuara janë nisur disa procedura parahetimore ndërsa po bëhen kontrolle dhe takime për hapjen edhe të procedurave tjera parahetimore. Ndërkaq, janë filluar procedura parahetimore për lëndën Magjar Telekom, që është kërkuar nga Prokuroria për krim të organizuar si dhe për aferën e njohur në opinion si Shpresa, për të xilën lëndë është përgatitur letër me kërkesë për dorëzim”, tha Lençe Ristovska, Prokurore në PPS.Para detajeve të dy prokuroreve, para opinionit u drejtua Katica Janeva. Ajo akuzoi se ka presione nga më shumë palë, për punën e saj, por edhe se nuk do të tërhiqet.“Drejtësia do të fitojë përkundër vështirësive dhe kërcënimeve që vijnë nga parti të caktuara politike dhe kallëzimet e konstruktuara penale, kundër meje dhe bashkëpunëtorëve të mi. Ndjehem e lirë, dhe e fortë sepse në anën time janë Kushtetuta, ligjet, dhe mbështetja e juaj. Edhe nëse të gjithë heshtin unë nuk do të hesht”, u shpreh Katica Janeva, Prokurore publike speciale e RM-së.Nga Prokuroria Publike Speciale nuk deshën të parashikojnë kur mund të priten aktakuzat e para ose nëse ka mundësi gjykata tua refuzojë kërkesat për paraburgim. Tërë rastin i cili zgjati një orë personalisht e ndiqnin përfaqësues të ambasadave të SHBA-së, BE-së, Gjermanisë dhe OSBE-së.