BSH raporton ulje të çmimit të shitjeve dhe qerave në të gjitha zonat

Çmimet e shitjes së apartamenteve dhe qerave kanë pësuar rënie. Banka e Shqipërisë konstaton në raportin e politikës monetare se kjo ka gjallëruar kërkesën dhe ka nxitur kreditimin. Ndërkaq agjentët imobiliarë shpjegojnë se pas shumë vitesh ngërçi, çmimet kanë rënë për të gjitha zonat. Përsa u përket qerave, qytetarët preferojnë hapësira të vogla, që kanë edhe çmimet më të ulëta.Ndërtuesit po ulin çmimet e shitjes së apartamenteve, në përpjekje për të çliruar nga ngërçi tregun dhe për të krijuar likuiditet.Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë për rënie të indeksit të çmimit të banesave me 4.8% në tremujorin e katërt të vitit 2015, pas rritjes në tremujorët e mëparshëm.Agjentët imobiliarë shpjegojnë se çmimet kanë rënë në të gjitha zonat e Tiranës, ndërsa Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo rënie çmimesh ka gjallëruar kërkesën për blerje banesash.Lefter Sila: Çmimet kanë rënie sipas zonave, në zonën e ish-Bllokut ose në zonën e Televizionit Shqiptar nga 2500 që shiteshin më përpara apartamentet, tani çmimi ka shkuar në 1800-2000 euro metri katrorë. Ndërsa në qendër çmimet nga 1200-1300 euro metri katrorë kanë zbritur në 1000 euro për metër katrorë. Në periferi sigurisht ka rënie, në zonat e Yzberishtit apo Freskut çmimet kanë rënë në 400 euro për metër katrorë.Banka e shqipërisë vlerëson se rënie kanë pësuar edhe qeratë, me 14.8% në tremujorin e katërt të vitit 2015.Agjentët imobiliarë shpjegojnë se qytetarët preferojnë të marrin me qera hapësira të vogla, të cilat kanë edhe çmime më të ulëta.Lefter Sila: Ndryshe paraqitet gjendja për qeratë, ku pronat me sipërfaqe të vogla janë shumë të kërkuara dhe çmimi i tyre mund të ketë një rritje të vogël, siç janë ato psh dhomë e kuzhinë ose gazonierat. Ndërsa sipërfaqe të mëdha vihen re se po lihen nga shfrytëzuesit e tyre, duke pretenduar shfrytëzim të sipërfaqeve më të vogla.Banka e Shqipërisë vlerëson në raportin e politikës monetare se  gjallërimi i tregut të pasurive të paluajtshme ka ndikuar pozitivisht edhe në lehtësimin e kushteve të dhënies së kredive.