Reforma në drejtësi, Kurz: Kyçe për integrimin dhe thithjen e investimeve

Në një kohë që në Shqipëri po punohet intensivisht për realizimin e reformës në drejtësi, Ministri i Jashtëm i Austrisë nxori edhe një herë në pah se kjo reformë është pika kyçe për integrimin e vendit.Në një takim me homologun shqiptar, Sebastian Kurz, shprehu mbështetjen e vendit që përfaqëson për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.Kurz: Ne kemi natyrisht një interes të madh që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht Shqipërinë t’i mbështesim në rrugën për në Bashkimin Europian. Gëzohem shumë që ti ke folur për reformën në drejtësi që ne e shikojmë si një projekt shumë të rëndësishëm në procesin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Unë jam shumë i sigurt që nëse ne arrijmë që ta zbatojmë këtë reformë të drejtësisë në këtë vit kjo do të ketë ndikime pozitive. Nga njëra anë do të jetë një pikë kyçe shumë e rëndësishme për të filluar bisedimet në Bruksel, por nga ana tjetër reforma në drejtësi do të ketë një ndikim pozitiv edhe te klima e investimeve për investitorët e huaj në Shqipëri. Shqipëria nëse do të hedhë një hap në këtë fushë, do të hedhë një hap edhe në shtetin e së drejtës. Do të jetë edhe më atraktive sigurisht për investitorët e huaj dhe ndërmarrjet e huaja që do të vijnë.Unë nga prespektiva austriake mund t’jua them shumë qartë si një vend që bën pjesë në 3 investitorët më të mëdhenj në Shqipëri. Unë jam shumë i gëzuar që ne kemi rënë dakort që Italia dhe Austria në takimin e përbashkët të miqve në Shqipëri në Bruksel do të organizohen sëbashku dhe kjo natyrisht do të jetë një kontribut i rëndësishëm për të forcuar rolin e Shqipërisë në Bruksel. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaroi se  ekzistojnë të gjitha mundësitë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.Bushati: Ekzistojnë të gjitha mundësitë, afatet janë të kapshme në rast se ne ecim me axhendën e reformave që kemi dakordësuar bashkërisht me shërbimet e KE dhe në bashkëveprim me institucione të rëndësishme si Komisioni i Venecias ku gjithë aktorët janë përfshirë në reformën në drejtësi dhe ne do kemi mundësi të bëjmë në pranverë një rishikim apo një rivlerësim jo vetëm të ecurisë së zbatimit të reformave sëbashku me KE dhe praninë e komisionerit Han, kemi gjithë mundësinë edhe me mbështetjen e vendeve anëtare për të siguruar si hapin e parë në këtë proçes një rekomandim të qartë nga ana e KE këtë vit. E thënën troç, të gjitha mundësitë ekzistojnë, vullneti politik duhet të demostrohet nga të gjitha kampet në funksion të një proçesi që nuk ka të bëjë me partitë politike.Në lidhje me arsyen e vizitës që pritet të realizojë në Tiranë sekretari amerikan i shtetit, Ministri Bushati shpjegoi se vjen në kuadër të bashkëpunimit midis dy vendeve, por edhe për të parë nga afër ecurinë e reformave drejt proçesit të integrimit.