Mesazhi i kreut të LSI-së, Meta: Klima politike konfliktuale nuk i shërben vendit

“Duhet konsensus për të realizuar reformat, pasi klima politike konfliktuale dhe mosbesuese nuk i shërben vendit”.Ky ka qenë mesazhi i dhënë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta gjatë një takimi me strukturat e kësaj partie në Gjirokastër.Meta deklaroi se tashmë duhet më shumë përgjegjësi për të forcuar shtetin ligjor dhe për të adresuar çështje të mprehta ekonomike dhe sociale.Meta:Duhet përpjekje për të ndërtuar konsensus në të mirë të reformave, në të mirë të vendit. Askush nuk duhet të pretendojë se në një situatë të tillë ne mund të bëjmë mrekulli. Aq më tepër duke nxitur një klimë politike mjaft konfliktuale e mosbesuese. Është koha për të forcuar institucionet, është koha për të forcuar shtetin ligjor, është koha për të lënë mënjanë sulmet dhe denigrimet personale, për t’u fokusuar te çështjet më të rëndësishme që vendi ka nevojë për të zgjidhur dhe te çështjet më të mprehta ekonomike dhe sociale që shqetësojnë shtresat më në vështirësi të shoqërisë sonë.Fuqizimi i LSI sipas Metës është një kontribut shumë i vlefshëm për të forcuar stabilitetin politik në vend.Meta:Të shënojmë rezultate edhe më të mira në të ardhmen. LSI fuqinë e saj e ka te njerëzit. Pa asnjë diskutim që kjo fuqi do të rritet.Kryetari i LSI-së u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të LSI-së që të rrisin ndjenjën e tyre të përgjegjësisë dhe t’u shërbejnë me përulësi qytetarëve.Edhe deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, kërkoi nga strukturat që të jenë më pranë njerëzve dhe në shërbim të tyre.Tavo: “Dua të vazhdojmë me atë që unë ju them gjithmonë strukturave dhe sidomos përfaqësuesve të LSI-së në institucionet shtetërore: Mos harroni kurrë që njerëzit që na kanë respektuar, duhet t’i respektojmë. Jemi këtu falë tyre dhe absolutisht askush nuk duhet të mendojnë se e ka atë karrige të përjetshme. Të respektojmë ata që na kanë respektuar, t’u shërbejnë atyre që kanë hall. Ky është parimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kështu, ne s’do të marrim vetëm dy mandate, por do të luftojmë edhe për të tretin”.