Ndërtimet pa leje, Bici: Pas Himarës, fadromat të hënën do të ulen në Butrint

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të nisë pastrimin e gjithë vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje, ku pas Himarës do të jetë Saranda ajo që do të kalojë në sitën e inspektorëve. Kreu i këtij institucioni, Dallëndyshe Bici thotë për Ora News, se në datën 1 shkurt do të nisë prishja e ndërtimeve në parkun e Butrintit, për tu shtrirë më pas në gjithë territorin e zonave bregdetare.Prishja e ndërtimeve në Himarë është vetëm fillimi i një aksioni të gjerë që Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të ndërmarrë për të pastruar vijën bregdetare nga ndërtimet  pa kriter.Në një intervistë për Ora News kryeinspektore Dallëndyshe Bici njofton se të hënën në 1 shkurt fadromat do të ulen në Parkun Kombëtar të Butrintit, për të vijuar më pas me gjithë vijën bregdetare pas studimit të zonës.Bici: Aktualisht po punojmë për bregdetin dhe shpresojmë që të bëjmë një punë të mirë përpara sezonit turiztik. Është në fazën e evidentimit. Do fillojmë me parkun e Butrintit, faza e azhornimit dhe proçedurave ligjore tashmë ka mbaruar dhe në ditët, shumë shpejt, javën që vjen që të hënën fadromat e INUK-ut do jenë në parkun kombëtar të Butrintit.Znj. Bici sqaron se ky aksion vjen pas ankesave të shumta të qytetarëve, por edhe për të ndërtuar një vijë bregdetare tërheqëse për sezonin turistik.Bici: Janë disa faktorë, e para që sezoni turistik ta gjejë pak më të liruar bregdetin shqiptar. Megjithatë kemi pasur ankesa jo vetëm nga qytetarët sa i takon ndërtimeve pa leje, por dhe nga Agjenci të tjera të cilat operojnë në qeverinë shqiptare për turizmin, nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Inspektoriate të tjera që kanë nevojën tonë për të bashkëpunuar.Kryeinspektore Bici sqaron gjithashtu incidentin e ndodhur në Himarë ku disa qytetarë kanë goditur punonjësit e IKMT gjatë operacionit për prishjen e dy objekteve në kuadër të projektit për ndërtimin e shëtitores.Sipas saj pronarët janë lajmëruar sipas afateve të parashikuara për prishjen e objekteve dhe se një situatë e tillë ishte e papreçedentë ndaj inspektorëve që ishin në krye të detyrës.