Virusi Zika mund të ketë infektuar 3 - 4 milionë njerëz në Amerikë
Tre deri në katër milionë njerëz mund të jenë infektuar nga Virusi Zika në Amerikë gjatë vitit të shkuar.Statistikat e frikshme u publikuan nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas OBSH-së, shumica prej tyre ende nuk paraqesin simptoma, por infeksioni ka qenë i lidhur me defektet e trurit që tek foshnjat.Drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan tha se virusi Zika ishte anashkaluar si një kërcënim i lehtë, duke marrë tashmë përmasa alarmuese.Ajo ka ngritur një ekip emergjence pas përhapjes masive të virusit Zika. Ditën e hënë parashikohet të zhvillohet takimi, ku do të vendoset nëse Zika duhet të trajtohet si një emergjencë globale apo jo.Herën e fundit që u shpall një emergjencë ndërkombëtare ishte pas shpërthimit të Ebola në Afrikën Perëndimore, e cila ka vrarë më shumë se 11 mijë njerëz.Zika u zbulua për herë të parë në Ugandë në vitin 1947, por asnjëherë nuk ka shkaktuar një shpërthim të kësaj shkalle. Rastet e para të personave të prekur nga Zika, janë raportuar në Amerikën e Jugut në maj të vitit 2015.Shumica e rasteve rezultojnë pa asnjë simptomë dhe është e vështirë për të provuar praninë e virusit, por zyrtarët kanë deklaruar se rreth 1.5 milionë njerëz janë infektuar në vend.Virusi, i cili përhapet nga mushkonjat, është përhapur në më shumë se 20 vende në rajon.Lidhja midis virusit dhe çrregullimeve të paraqitura nuk është konfirmuar ende, por Dr.Chan tha se njerëzit janë të alarmuar dhe situata duket tmerrësisht shqetësuese.Dhe ajo paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet akoma, për shkak se gjatë këtij viti pritet të rriten popullatat e mushkonjave në masë të madhe në fusha. BBC raporton se në veri-lindje të Brazilit, mjekët ishin të tronditur nga rastet e mikrocefalisë.Shkencëtarët thonë se kanë prova në rritje për një lidhje me mikrocefalinë, që shkakton lindje të bebeve me kokë të vogël. Ndërsa virusi Zika mund të sjellë temperaturë dhe skuqje të lëkurës, shumica e njerëzve nuk shfaqin simptoma dhe nuk ka kurë të njohur.E vetmja mënyrë e njohur për të luftuar virusin është të pastrohet uji i pellgjeve ku rrinë mushkonjat dhe të merren masa për mbrojtjen kundër pickimeve të mushkonjave.Mikrocefalia është një gjendje shëndetësore ku koka e një bebeje është shumë më e vogël se zakonisht. Gjatë shtatzënisë koka e bebeve rritet ashtu si edhe truri i tyre. Mikrocefalia mund të ndodhë për shkak se truri i bebes nuk zhvillohet siç duhet gjatë shtatzënisë ose ndalon së zhvilluari pas lindjes. Mikrocefalia mund të jetë një gjendje shëndetësore e izoluar, që do të thotë se ndodh pa shkaktuar defekte të tjera në lindje, por mund edhe të ketë pasoja zinxhir.Bebet me mikrocefali mund të kenë një sërë problemesh të tjera, në varësi të seriozitetit të mikrocefalisë. Ajo është lidhur me probleme si krizat, vonesat në zhvillim, paaftësi intelektuale, probleme me lëvizjen dhe balancën, probleme me përtypjen, humbje të dëgjimit dhe probleme me shikimin.Mikrocefalia nuk është një kusht që haset shpesh. Sipas të dhënave, ajo prek nga dy deri në 12 bebe për çdo 10000 lindje. Shkaqet janë ende të panjohura. Disa bebe kanë mikrocefali, për shkak të ndryshimeve në gjene. Të tjera shkaqe përfshijnë ekspozimin gjatë shtatzënisë ndaj infeksioneve, substancave të dëmshme apo mangësi në ushqim.Zyrtarët në katër shtete të Amerikës Latine dhe ishujt e Karaibeve kanë paralajmëruar gratë të shmangin shtatzëninë, për shkak të shqetësimeve për një sëmundje të rëndë që shkakton defekte te të porsalindurit.Kolumbia, Ekuadori, El Salvadori dhe Xhamajka u kanë rekomanduar grave të shteteve të tyre të shtyjnë shtatzënitë derisa të dihet më shumë rreth virusit Zika me prejardhje nga mushkonjat.Këto deklarata u bënë pas shpërthimit të virusit në Brazil. Shteti lajmëroi se numri i bebeve të lindura me mikrocefali ose kokë më të vogël se zakonisht, kishte arritur rreth 4000 që nga tetori.Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë paralajmëruar gratë shtatzëna të shmangin udhëtimin në më shumë se 20 vende në Amerikën Latine dhe përtej, kur rastet Zika janë regjistruar.Lidhja midis mikrocefalisë dhe Zika-s nuk është konfirmuar, por një numër i vogël bebesh që kanë vdekur kishin virusin në tru dhe se për mikrocefalinë nuk ka pasur shpjegime të tjera.Virusi nuk është ngjitës dhe normalisht ka simptoma si të gripit. Në Kolumbi, ministri i Shëndetësisë, Alejandro Gaviria, i nxiti gratë t'i shtynin shtatzënitë për të paktën tetë muaj të tjerë."Po e bëjmë këtë, sepse besoj se është një mënyrë e mirë për të komunikuar rrezikun, për t'u thënë njerëzve që mund të ketë pasoja serioze", tha ai për "Reuters".Paralajmërime të ngjashme janë lëshuar në Ekuador, El Salvador dhe Xhamajka.Megjithatë, aktivistet për të drejtat e grave i kanë kritikuar rekomandimet, duke thënë se gratë në rajon shpesh kanë pak zgjedhje rreth shtatzënisë."Është shumë naive për një qeveri t'u kërkojë grave të shtyjnë shtatzëninë në një kontekst si ai i Kolumbisë, ku më shumë se 50 për qind e shtatzënive janë të paplanifikuara dhe në rajon ka dhunë seksuale dominuese", tha Monica Roa, një anëtare e Lidhjes së Grave nëpër Botë.Dyzet e nëntë bebe të dyshuara për mikrocefali kanë vdekur, ka deklaruar Ministria e Shëndetit në Brazil. Në pesë prej këtyre rasteve është zbuluar një infeksion me virusin Zika.Brazili po përjeton shpërthimin më të madh të njohur të virusit Zika, ku shumica e rasteve haset në verilindje. Të tjera raste janë vënë re në zona si juglindja, një zonë që përfshin Rio de Zhaneiron dhe Sao Paulon.Ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të rasteve me Zika në disa vende të tjera të Amerikës Latine.Në Kolumbi janë raportuar më shumë se 13 500 raste.Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes kanë lëshuar paralajmërime udhëtimi për gratë shtatzëna javën e shkuar, duke shtuar tetë vende të tjera në listën e vendeve të ndaluara. Paralajmërimet janë për shtete si Bolivia, Ekuadori, Brazili, Kolumbia, El Salvadori, Guatemala, Meksika, Panamaja, Paraguai, Venezuela, Barbadosi, Haiti, Porto Riko, Guadalupe, Samoa etj.Për njerëzit në zonat e prekura, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar pastrimin e ujit të ndenjur, ku grumbullohen mushkonja. Ajo po ashtu u ka bërë thirrje njerëzve që të mbrohen nga kafshimi i mushkonjave, duke veshur rroba që mbulojnë sa më shumë trupin e tyre dhe duke mbajtur mbyllur dyert dhe dritaret.Çmimi i medikamenteve kundër mushkonjave raportohet se është rritur në Brazil. Në qytetin verilindor Recife, raportet thonë se spitalet publike janë mbushur me gra shtatzëna, të cilat druajnë se fëmijët e tyre mund të kenë tru të pazhvilluar.Qeveria e Brazilit ka njoftuar se 220,000 ushtarë do të shpërndahen në gjithë vendin për të ndarë fletushka me rekomandime se si të luftohet tutje shpërndarja e virusit.Vendet e tjera kanë bërë veprime edhe më drastike. Zyrtarët shëndetësorë në El Salvador kanë këshilluar gratë që të mos mbeten shtatzënë deri në vitin 2018, ndërsa autoritetet në Kolumbi, Ekuador dhe Xhamajkë u kanë rekomanduar grave të presin, por jo aq gjatë./Oranews.tv/