42 punonjës të policisë të lidhur me trafikun e drogës, 3 janë arrestuar
Nga OraNews Përditësimi i fundit 20 Janar 2016, 22:33
42 punonjës policie janë ndjekur, hetuar dhe proçeduar për lidhje me trafikun e drogës përgjatë vitit që lamë pas.Nga këta, 3 janë arrestuar, 8 janë proçeduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa për 31 të tjerët vijojnë hetimet.Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe i Ankesave në Ministrinë e Brendshme publikoi sot raportin për punën e këtij institucioni përgjatë 2015, sipas të cilit rezulton se janë hetuar plot 243 raste të punonjësve të strukturave në varësi të Ministrisë së Brendshme, të dyshuar si të përfshirë në veprime kriminale apo në kushtet e shkeljes dhe shpërdorimit të detyrës.“Favorizimi apo implikimi në veprimtari të kundraligjshme si: kultivimi i bimëve narkotike; trafiku i drogës, trafiku i qenieve njerëzore, kontrabandës, konkurrenca e pandershme etj, me synim marrjen e një ryshfeti, kanë qenë objekt i punës së Shërbimit të çështjeve të Brendshme”thuhet më tej në raport.Shërbimi i Brendshëm, ka proceduar në 2015, 119 punonjës për veprime korruptive. Nga këta punonjës dy janë punonjës të nivelit të mesëm drejtues të Policisë së Shtetit.Po ashtu janë referuar në prokuroritë e rretheve gjyqësore 189 kallëzime penale për, 57 punonjës policie të nivelit të parë drejtues, 174 punonjës policie të nivelit zbatues.Në këto kallëzime 6 të denoncuar kanë qenë 6 punonjës policie, civilë, 3 efektivë të Gardës së Republikës, punonjës i Policisë së Mbrojtjes ndaj Zjarrit, si dhe 36 persona jashtë strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë.Ndër rastet e hetuara, në raport përmendet arrestimi i 75 personave, 51 punonjës policie.