Raporti i FMN, Luan Rama: Sirenë alarmi, Qeveria ta marrë më seriozisht se Venecian

Raporti i FMN për rrezikun financiar që i kanoset ekonomisë shqiptare i ka shërbyer LSI-së për të treguar edhe një herë se nuk është në raporte fort solide me aleatin e saj, Partinë Socialiste. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama, Qeveria shqiptare duhet ta marrë më seriozisht se rekomandimet e Komisionit të Venecias. Kritikat e LSI-së erdhën në të njëjtën ditë kur Ministria e Financave shpalli tenderin ndërkombëtar për dhënien me konçesion të ngritjes së një sistemi për mbledhjen e TVSH-së.Një apel i FMN drejtuar Qeverisë shqiptare për rrezikun që i kanoset qëndrueshmërisë financiare i ka shërbyer edhe aleatit kryesor të mazhorancës, Lëvizjes Socialiste për Integrim që ti çojë mesazh paralajmërues Qeverisë e ti kujtojë që këtë raport duhet ta marë më seriozisht se rekomandimet e Venecias.Nga selia e LSI-së, Sekretari i Përgjithshëm Luan Rama kërkoi lexim të përgjegjshëm të sugjerimeve të FMN-së dhe kujtoi se kur ato nuk lexohen drejt sjellin pasoja sociale si ato të 1997.Rama: E ftoj qeverinë shqiptare të reflektojë me seriozitet, të reflektojë me përgjegjshmëri, ta lexojë në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu siç është shkruar raporti, dhe më lejoni të them dhe nuk e teproj, madje duhet lexuar më me seriozitet dhe më me konsistencë ndoshta edhe se sa rekomandimet e Komisionit të Venecias.Sa herë që qeveria shqiptare nuk e ka konsideruar me seriozitet qëndrimin e FMN-së, atëherë jemi ballafaquar apo jemi ndeshur me fenomene krizash apo me situata të pakëndshme të zhvillim ekonomik dhe më tepër se kaq të zhvillim social dhe politik në vend.Më lejoni t’ju kujtoj këtu krizën e vitit 1997.Në raportin mbi Vlerësimin e Transparencës Fiskale, FMN shprehte shqetësim për rishikimin e shpeshtë të buxhetit, duke theksuar se rreziqet kryesore për qëndrueshmërinë financiare të Shqipërisë vijnë nga  faturat e  kompensimit të pronave, kreditë me probleme dhe konçesionet.Paralajmërimi dhe detyrimet që kompanitë private kanë kur ngrihet një partneritet shtet- privat ndoshta jo më kot u bë nga LSI, pikërisht ditën kur Ministria e Financave shpalli tenderin ndërkombëtar për dhënien me konçension të ngritjes se një sistemi për mbledhjen e TVSH-së.Rama: Partneriteti publik privat është një element i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, është një dimension natyrisht dhe një vlerë e shtuar në mirëqeverisjen, por në këtë partneritet nuk është e rëndësishme të ofrohet vetëm buxheti i shtetit në kontribut financiar, por edhe vetë privati të marrë përsipër të investojë dhe jo të jetë përfitues vetëm, por edhe bashkëkontribuues në këtë proces.Dhe në kohën kur duket se dy partitë në Qeveri gjetën paqe për reformën në drejtësi, problemet e mprehta ekonomike do ti mbajnë PS dhe LSI në pozicione jo fort solide me njëra-tjetrën.Vasili: Qëndrimi i Luan Ramës lexim personal, jo i LSI-sëPor vetëm pak minuta më vonë, nënkryetari i kësaj force politike, njëherësh dhe kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili tha se deklarata e Luan Ramës mbi raportin e FMN-së është një lexim i tij personal dhe jo qëndrim zyrtar i LSI-së.LUAN RAMADeklarata për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për IntegrimMë lejoni që në fokus të kësaj konference dhe natyrisht në fokus të vëmendjes së opinionit publik përmes jush, raportin më të fundit të bërë publik nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që publikoi para disa ditësh një raport mbi vlerësimin e transparencës fiskale të qeverisë shqiptare, ku përveç disa vlerësimeve pozitive për disa indikatorë fiskal në funksion të transparencës, tërhoqi vëmendjen gjithashtu për një kujdes më të madh në monitorimin e disa indikatorëve të rëndësishëm që lidhen apo që kanë impakt të drejtpërdrejtë në stabilitetin makro-ekonomik.Natyrisht, do të duhej në fakt që të kishte një reagim zyrtar nga ana e qeverisë shqiptare për këtë raport, por duke shpresuar dhe besuar, që qeveria do të reflektojë dhe do të reagojë në veprimin e saj konkret të politikave qeverisëse, në emër të LSI dhe në zhvillim të përgjegjësive tona politike dhe qeverisëse gjithashtu, më lejoni të theksoj rëndësinë e veçantë dhe rolin specifik do të thoja unë në ndikim, gjithashtu të rëndësishëm, që ka bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si institucioni më i rëndësishëm që në vite ka ndihmuar, ka asistuar dhe ka mbikëqyrur nga afër për të gjitha hapat dhe politikat qeverisëse të qeverive shqiptare.Raporti më i fundit i FMN-së kërkon seriozitet dhe maturi në leximin e tij. Kërkon përgjegjshmëri në reflektim, sepse sa herë që ne kemi neglizhuar apo më keq akoma, sa herë që qeveria shqiptare nuk e ka konsideruar me seriozitet qëndrimin e FMN-së, atëherë jemi ballafaquar apo jemi ndeshur me fenomene krizash apo me situata të pakëndshme të zhvillim ekonomik dhe më tepër se kaq të zhvillim social dhe politik në vend.Më lejoni t’ju kujtoj këtu krizën e vitit 1997 apo edhe disa qëndrime të mbajtura përpara disa vitesh gjithashtu të papërgjegjshme në partneritetin dhe në bashkëpunimin me FMN-në.Për LSI-në bashkëpunimi dhe respektimi me rigorozitet dhe konsistencë i rekomandimeve të FMN është i rëndësishëm, është i detyrueshëm dhe nga kjo pikëpamje ne ofrojmë të gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin për të bërë të mundur edhe pas raportit më të fundit të FMN-së, jo vetëm leximin, por ç’është më e rëndësishmja reflektimin e përgjegjshëm ndaj vërejtjeve apo konstatimeve që bënë raporti.Më lejoni të theksoj, që është i rëndësishëm paralajmërimi për rrezikun financiar që bën ky raport, çka në thelb është një sirenë alarmi që kërkon reflektim të përgjegjshëm dhe konkret, duke u rikthyer në konsekuencat, në politikat e konsolidimit fiskal të kontrollit të deficitit dhe të borxhit publik. Gjithashtu, një çështje tjetër për të cilën tërheq vëmendjen raporti i FMN-së është ajo që ka të bëj me transparencën fiskale. Transparenca si një institucion, transparenca si standard i qeverisjes së mirë, transparenca si standard i komunikimit me qytetarin, është një vlerë e pakontestueshme, e pandryshueshme,e patjetërsueshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe ne insistojmë me të madhe në kthimin e kësaj vlere, në një vlerë dhe në një standard konstant dhe gjithnjë të vlefshëm të qeverisë shqiptare në raport me publikun. Sepse është anormale, nuk është korrekte do të thoja, është gjithashtu, në vlerësimin tim, alarmante që siç konstaton raporti, 10 nga 36 rekomandimet e dhëna nga FMN-ja nuk po zbatohen në kuadër të transparencës fiskale.Një çështje tjetër për të cilën tërheq vëmendjen raporti është edhe teprimi me konçesionarët. Gati 7 % e GDP-së është e dhënë për koncesion. Natyrisht që në vlerësimin tim dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, partneriteti publik privat është një element i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, është një dimension natyrisht dhe një vlerë e shtuar në mirëqeverisjen, por në këtë partneritet nuk është e rëndësishme të ofrohet vetëm buxheti i shtetit në kontribut financiar, por edhe vetë privati të marrë përsipër të investojë dhe jo të jetë përfitues vetëm, por edhe bashkëkontribuues në këtë proces.Pa dashur të hyjë në detaje, apo në elementë të tjerë përbërës të këtij raporti, edhe një herë e ftoj qeverinë shqiptare të reflektojë me seriozitet, të reflektojë me përgjegjshmëri, ta lexojë në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu siç është shkruar raporti, dhe më lejoni të them dhe nuk e teproj, madje duhet lexuar më me seriozitet dhe më me konsistencë ndoshta edhe se sa rekomandimet e Komisionit të Venecias.Mirëqeverisja apo qeverisja e mirë, impaktin e parë duhet ta krijojë te jeta, tek cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë, te të ardhurat e familjes shqiptare, te përmirësimi i jetës së cilësisë së tyre dhe tek ofrimi i shërbimit që e bën këtë jetë të denjë dhe që e përafron atë në standardet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ku ne dëshirojmë të anëtarësohemi. Prandaj edhe një herë nga kjo konferencë për shtyp e ftoj qeverinë të jetë më e ndjeshme, më e përgjegjshme kur është fjala për standardin e qeverisjes, për mirëqeverisjen dhe për shërbimin ndaj qytetarëve shqiptar.https://www.youtube.com/watch?v=ihD_-JMTGow