Reforma në drejtësi, Nishani: Model që ta shkëpusë vendin nga pandëshkueshmëria

Presidenti i Republikës Bujar Nishani edhe gjatë takimit me ministrin e Jashtëm Italian Paolo Gentiloni u ndal tek reforma në drejtësi, duke e konsideruar atë si një model për tu shkëputur nga pëndëshkueshmëria. Në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës, thuhet se reforma në drejtësi është kryefjala e reformave.“Duke u ndalur tek reformat, Presidenti Nishani theksoi se reforma në drejtësi mbetet kryefjala dhe falë asistencës së Komisionit të Venecias dhe mbështetjes nga vendet dhe organizatat partnere, shpresojmë që shumë shpejt kjo reformë do të finalizohet në mënyrë konsensuale dhe të prodhojë një model që ta shkëpusë njëherë e përgjithmonë vendin nga kultura e pandëshkueshmërisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.Presidenti i Republikës vlerësoi rolin, bashkëpunimin dhe partneritetin e Italisë, veçanërisht në fushën ekonomike dhe atë kulturore.Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit për përballimin e krizës së krijuar nga flukset e paprecedenta migratore nga vendet në konflikt, si dhe luftës ndaj ISIS-it, terrorizmit ndërkombëtar, luftëtarëve të huaj dhe krimit të organizuar.Nishani theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë është një politikë e konsoliduar dhe e konsideron bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si shtylla kryesore të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit.Po ashtu Nishani evidentoi mbështetjen e dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së.