Ngrica në veri, në Librazhd rrëshqitje gurësh
Temperaturat e ulëta në Kukës, kanë sjellë ngrirjen e borës prezente në të gjithë qarkun.Sipas Shtabit të Emergjencave, si pasojë e ngricave janë dëmtuar linjat e transmetimit të energjisë elektrike në Nënstacionin e Rexhepajve, duke lënë pa energji gjysmën e qytetit dhe Njësitë Administrative Malzi, Terthore, Shishtavec, Mamez dhe Kolsh . Në bashkinë Has pa energji është Kruma ndërsa në Tropojë njësia e Bujanit.OSHEE konfirmon se grupet e punës ndodhen në terren dhe po punojnë për të eliminuar cdo defekt në rrjet si pasojë e motit të keq.Ngricat kanë sjellë probleme edhe në qarkullimin rrugore ku në të gjitha akset nacionale është i detyruar përdorimi i zinxhirëve.Me pushimin e reshjeve të borës, në Rrugën e Kombit situata është përmirësuar ndjeshëm ndërsa problem mbetet vetëm mjegulla e dendur.Në qarkun e Dibrës, reshjet e borës kanë sjellë vështirësi lëvizjeje të banorëve në njësitë administrative në Kalanë e Dodës, Trebisht dhe Ostren, ku trashësia e borës arrin deri në 20 centimetër.Nuk ka probleme me qarkullimin e mjeteve në rrugët nacionale të cilat monitorohen nga mjetet borëpastruese në vijimësi.Ne qarkun e Elbasanit në aksin nacional Elbasan- Librazhd, ka rrëshqitje të gurave tek ura e Murrashit, në njësinë administrative Labinot Fushë- Librazhd.Dalja nga shtrati e Shkumbinit rrezikon një banese pranë lumit, ndërsa janë evakuuar banorët.Ndërkohë në qarkun e Korçës, sipas të dhënave nga autoriteti rrugor shqiptar, të gjitha akset janë të kalueshme, por rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.E njëjta situatë është edhe në qarkun verior të Shkodrës ku akset ku ka prani ngricash janë spërkatur me kripë dhe situata mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga ana e kontraktorëve. Rekomandohen drejtuesuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në akset e Pukës, Tropojës dhe Peshkopisë për shkak të ngricave dhe akullit në rrugë./Oranews.tv/