Sfidat 2016: Vit i ri, probleme të vjetra
Ndryshimi kalendarik i vitit shoqërohet me urime pafund midis qytetarëve për më shumë mbarësi, shëndet e gëzime. Ato janë dëshira, shumica formale, por që thelb shprehin prioritetet kryesore që qytetarët kanë për veten e tyre, familjet dhe të njohurit. Kur flitet për shtetin dhe urimin për të, pothuajse të gjithë urojnë për më shumë qeverisje të mirë, për vende pune, për luftë ndaj korrupsionit, për më pak politikë dhe më shumë rezultate dhe për paqe e siguri. Pavarësisht formalizimit të tyre edhe ato në thelb janë prioritetet që qytetarët presin nga shteti i tyre. Vetë politika ka prioritete të tjera: mazhoranca na dhuroi për vitin e ri një album luksoz shifrash (natyrisht, një “dhuratë” që nuk ia kërkoi askush, tërësisht propagandë, pa sens e respekt për qytetarët si dhe pa faturë tatimore), kurse opozita uroi të jetë viti i ndryshimit të qeverisë dhe ardhjes së saj në pushtet (natyrisht, një temë konsumi propagande, pa sens përgjegjësie dhe pa lidhje me pritshmëritë qytetare).Në këtë rutinë dhe kontraste urimesh qytetare e politike 2016 vjen pas një viti të vështirë, për të qenë edhe më i vështirë. Ai nuk do jetë një vit më i qetë politik, nuk do të sjellë dot standarde më të larta jetese apo demokracie, nuk do ndikojë në rritjen ekonomike dhe nuk do të zgjidhë pothuajse asnjë prej pritshmërive kryesore që kanë qytetarët, por edhe vetë elitat politike. 2016 vjen si zgjatim i 2015 jo vetëm kalendarikisht, por mbi të gjitha, vijim në axhendë dhe në sjellje politike. Nëse më 2015 u miratuan ndryshimet kushtetuese për de-inkriminimin, gjatë 2016 do të kemi debate dhe akuza pafund për zbatimin e ligjit mbi de-kriminalizimin. Nëse në fundviti 2015 u dha konsensusi për reformën në drejtësi sipas përcaktimeve të Komisionit të Venecias, më 2016 do kemi debate e akuza pafund midis palëve në jetësimin praktik të këtij konsensusi. Nëse më 2015 u miratua ligji për hapjen e dosjeve, gjatë 2016 do kemi debate dhe akuza pafund midis palëve për nivelin, standardet dhe efektet e zbatimit real të tij. Nëse në vitin 2015 u quajtën sukses miratimi i ligjit të arsimit të lartë apo reforma në qeverisjen vendore, më 2016 do kemi debate e akuza pa fund midis palëve mbi jetësimin real të këtyre reformave dhe efekteve të pritshme të tyre.E njëjta vijueshmëri debati e akuzash do vijojë edhe në drejtime të tjera, të nisura teknikisht apo ligjërisht gjatë 2015. Për shembull, do të ketë një konkurs kombëtar për nëpunësit civil (unik në historinë e vendeve demokratike) natyrisht për të larguar këdo që nuk bën pjesë në listat e emëruara nga deputetët dhe politikanët kryesorë të PS dhe aleatëve të saj, - nga listat e pafundshme të botuara në media në nëntor-dhjetor 2015. Dallimi? Shkarkimet do quhen reformë dhe të shkarkuarit do të quhen të paaftë të fitojnë në konkurse! Pra, më shumë do kemi një alibi për spastrime politike sesa një praktikë reale konkurrimi. Më tej, nëse shumica e shërbimeve publike u dhanë me koncension gjatë 2015, gjatë 2016 do ndeshemi me sfidën e shanseve reale për aplikimin e tyre dhe ndryshimin e cilësisë së shërbimeve. Deri tani rezultatet kanë qenë zhgënjyese me qeveritë e djathta dhe të majta, - me siguri as 2016 nuk do të arrijë të ndryshojë trendin e traditës, - dominimin e klientelës së emëruar nga lart mbi konkurrencën reale në treg. Të njëjtat vlerësime kritike pritet të shoqërojnë nismën e qeverisë për rivlerësimin e tokave dhe rikthimin e pronave, nismën për ri-regjistrimin kombëtar të pasurisë, nismën kundër informalitetit në shërbimet publike bazë dhe në punësime, nismën për ndarje të qartë të konfliktit të interesit midis të punësuarve në shtet e njëherësh edhe në privat, si dhe nismën për reformë cilësore në institucionet e sigurisë.Pritshmëri skeptike dhe kritike? Jo, është pritshmëri reale. Për ta kuptuar atë duhet të shohim përputhshmërinë midis axhendës që kërkojnë qytetarët, axhendës që kanë aktorët politikë dhe axhendës që ka nevojë shteti/Shqipëria.Reformat e thella dhe horizontale do të sillnin efekte pozitive afatgjata, por do të godisnin politikat monopol dhe sistemin piramidal të bizneseve-kredi të atyre që sot kontrollojnë shumicën e opinionit publik (përmes lidhjeve të forta politike, financimeve elektorale, kontrollit të medias, si dhe lidhjeve mbështetëse me botën informale të krimit). Ata kanë qenë, janë dhe do të jenë miq, partnerë dhe të përzgjedhur të përhershëm të elitës politike në qeveri dhe opozitë, për shkak se janë baza mbi të cilët mbahet në këmbë sistemi i korruptuar politik dhe vendimmarrës.Dy partnerët e koalicionit, PS e LSI më shumë kanë interesa të dominojnë njëra tjetrën sesa të krijojnë një axhendë konsensuale për reforma të thella. Mjafton detaji i fundvitit: në asnjë resht të botimit luksoz të kryeministrit për bilancin dy vjeçar të qeverisjes nuk përmendet LSI dhe as partnerët e koalicionit! Mesazhi, arritjet janë të miat, dështimet janë të aleatëve të mi. Një tezë që vlen kur koalicioni ndodhet në krizë besimi dhe nën shantazhin e zgjedhjeve të reja.Duke u fshehur pa reformës në drejtësi (reformë e ndërmarrë, realizuar dhe e udhëhequr publikisht nga faktori ndërkombëtar në Tiranë, SHBA dhe BE), mazhoranca nuk ka arritur ende të dërgojë përpara drejtësisë asnjë ish zyrtar të lartë të korruptuar, dhe natyrisht, asnjë zyrtar të lartë të saj. Kryeministri mbron me fanatizëm ministrat e tij të akuzuar për korrupsion e skandale, ndërkohë që duhet se ka një pakt të heshtur me ish qeverinë e djeshme për të mos përfunduar asnjëra palë përpara drejtësisë. Një konsensus, që duket se ka edhe miratimin e opozitës, e cila nuk ka ndërmarrë asnjë akt konkret ligjor kundër skandaleve të mëdha financiare me zyrtarët e sotëm të lartë të së majtës.PS ka interes madhor të mbetet në qeveri, të shuajë pakënaqësitë brenda saj (me kongresin e radhës dhe zgjerimin e anëtarësisë deri në 150 mijë), të vijojë marrëdhëniet dashuri e urrejtje ndaj LSI për çdo rast evident të zgjedhjeve të reja të Presidentit dhe parlamentit, si dhe të dominojë opozitën. Axhenda e saj, siç shihet, nuk ka asnjë përputhje direkte me axhendën qytetare dhe interesin madhor të vendit. LSI ka interes të përfitojë maksimalisht nga pushteti, dhe përmes mesazheve direkte e indirekte, të evitojë sulmet politike nga PS e PD, për tu përgatitur për mundësinë e daljes më vete në zgjedhjet 2017. Edhe axhenda e saj, siç shihet, nuk ka lidhje me axhendën qytetare dhe interesat madhore të vendit. PD ka interes të zgjerojë bazën militante të saj kundër qeverisë, të bllokojë nismat e saj dhe të prodhojë krizë koalicioni, - qëllime që nuk kanë lidhje me axhendën prioritare qytetare dhe vendore.Në arritjen e këtyre qëllimeve mund të ndodhë që në maj 2016 të kemi një referendum formal për ndryshimet kushtetuese (PS është pro, LSI dhe PD nuk mund të jenë kundër). Referendumi ka vlerë kur ka dy alternativa votimi, ndaj votimi me një alternativë nuk sjell ndryshim, por thjesht duke u bërë dhe duke formalizuar ndryshimet kushtetuese mund të përdoret nga mazhoranca si alibi për të konfirmuar mazhorancën e vet dhe natyrisht, kjo do i jepte fund debatit për zgjedhje të parakohshme.Viti 2016 do jetë edhe viti i kampionatit evropian dhe me siguri, qershori-korriku e gushti do jenë tre muaj të dominuar nga kjo temë, - pritshmëritë dhe analiza e rezultateve, - duke i humbur kalendarit politik kohë dhe energji, si dhe duke ndikuar në shtyrjen e disa prej aksioneve politike për reforma të mëdha e të thella, të premtuara nga palët. Edhe ngjarje të tjera rajonalë, si Samiti i Parisit në pranverë, zgjedhjet presidenciale në Kosovë apo zgjedhjet në Maqedoni, etj, do ndikojnë në spostimin e vëmendjes nga axhenda që kërkon vendi dhe që duhet të bëje Shqipëria për të merituar standarde më të larta integrimi.Në aspektin ekonomik, Banka Botërore, FMN dhe të gjithë partnerët e tjerë ekonomik të Shqipërisë kanë paralajmëruar se nuk pritet ngritje e re ekonomike dhe se në rast të mungesës së reformave pritet një vit edhe më i vështirë financiar. Më 1 janar rriten disa çmime e taksa shërbimi, të tjera do rriten gjatë muajve të ardhshëm, vala e emigrimit do të vijojë, problemet ekonomike do krijojnë, si përherë, probleme në rendin publik, në rritjen e kriminalitetit dhe në praktika të tjera që rëndojnë shanset për stabilitet e demokraci funksionale, për ditë më të qeta e për më shumë mbarësi, - siç shpresonim në urimet formale të vitit të ri.Në aspektin informativ ushqimi ynë kryesor informativ do të jenë shënimet e politikanëve në rrjetet sociale, ngjarjet më të komentuara do të jenë disa që nuk kanë asnjë rëndësi për qytetarë, shumica e energjive nga cdo palë politike do përdoren për imazh e propagandë, media do jetë shumë më pak e lirë dhe shumë më pak konkurruese, shoqëria civile mbetet në vendnumëro dhe shanset për protesta qytetare (jo partiake), - fatkeqësisht janë e priten të jenë minimale.Së fundi, këtë fillim viti janë gati të paktën tri nisma të ndryshme paralele për krijime të partive të reja politike, dy djathtas dhe një majtas, - nisma, të cilat megjithë pozivitetin në një vend ku ka zhgënjim masiv tek sistemi politik përfaqësues, mund të kenë fatin e të gjitha nismave të mëparshme, - pamundësi të administrojnë votën, të shndërrohen në alternativë konkurruese dhe të sjellin shpresën dhe optimizmin e munguar në një shoqëri, ku numri i militantëve-ushtarë vijon të jetë shumëfish më i madh sesa numri i qytetarëve të arsyeshëm dhe civilë. Krijimi i tyre mund të sjellë larmi më të madhe referimi në media e fletët e votimit, por Shqipëria meriton shumë më tepër sesa kaq, meriton shpresë, elitë, qytetari, kulturë dhe kapacitete mirëqeverisëse, - cilësi të cilat mbeten ende utopike, si shumica e urimeve formale të vitit të ri./Shkrimi është publikuar në portalin ikub.al/