Haradinaj: Dëmtimi i varrezave të komunitetit katolik është akt qyqar
Ndaj dëmtimit të varrezave të komunitetit katolik në fshatin Romajë të Hasit, ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.Nëpërmjet një komunikatë të dërguar nga AAK, Haradinaj ka theksuar se thyerja e varrezave është akt qyqar duke vlerësuar se kjo vepër është kriminale dhe përpjekje për të zbehur tolerancës fetare në Kosovë.“Është një fillimviti i keq thyerja e varrezave në fshatin Romajë. Është vepër kriminale dhe përpjekje dëshpëruese për të zbehur tolerancën fetare në Kosovë, e cila ka kohë që është shembull për shumë vende në rajon dhe më gjerë. E dënoj ashpër këtë akt qyqar dhe kërkoj që organet e rendit dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë, të bëjnë të pamundurën që të zbardhet ky rast, I cili I qet hije të keqe, jo vetëm kësaj ane, por gjithë Kosovës”, thuhet në komunikatë.Sipas Haradinajt, varrezat janë objekte të shenjta dhe kushdo ngre dorë mbi to, ka ngritur dorë mbi shenjtërinë e jetës së përbashkët shekullore të qytetarëve të të gjitha besimeve në Kosovë.“Prandaj nuk do të lejojmë askënd që të na i rrezikojë këto vlera. Unë dua të besoj se kjo është vepër e kriminelëve dhe keqbërësve ordiner, por pavarësisht prej kësaj, zbardhja e këtij rasti, është me interes të jashtëzakonshëm për të gjithë ne”, thuhet në fund.