Kthimi i ligjit për pronat, PR: Mirëpresim vendimin e Presidentit
Partia Republikane nëpërmjet një deklarate ka mirëpritur dhe ka vlerësuar vendimin e marrë nga Presidenti i Republikës për kthimin për rishqyrtim të ligjit mbi pronat, të dërguar nga qeveria dhe të miratuar nga Parlamenti. Anëtari i Kryesise në Partinë Republikane, Maksim Begeja tha se ky ligj eshte në kundërshtim me vendimet e marra nga Gjykata Kushtetuese.Deklarata e anetarit të PR, Maksim Begeja"Ky ligj është kundërshtuar me forcë nga shoqatat e pronarëve dhe Partia Republikane në takimin e organizuar prej Tij në muajin Tetor të këtij viti në Presidencë.Ligji është në kundërshtim me vendimet e marra nga Gjykata Kushtetuese, standartet e vendosura nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe Kushtetuta e Shqipërisë.Ai nuk garanton sigurinë juridike në trajtimin e kompensimit financiar, pasi cënon parimin e barazisë ndërmjet shtetasve, duke i vendosur ata në regjime të ndryshme shpërblimi për të njejtën lloj prone.Harta e vlerës që pretendohet në ligj, nuk është transparente dhe nuk reflekton çmimin e tregut.Në ligj hiqet e drejta e kthimit fizik të pronës, duke cënuar të drejtën e qytetarëve të sanksionuar në nenin 41 të Kushtetutës.Partia republikane, në bashkëpunim me shoqatat e pronarëve , do të kundërshtojë këtë ligj edhe në instancat më të larta ndërkombëtare si Gjykata e Strasburgut dhe Sekretariati i Komitetit të Ministrave pranë B.E. bëjmë thirrje Partisë Demokratike dhe gjithë partive opozitare, të bashkohen me inisiativën tonë, me qëllim që jo vetëm të mbështesim vendimin e Presidentit, por në bashkëpunim me shoqatat e pronarëve të hartojmë një ligj i cili ti japë zgjidhje reale problemit të pronave."