Abdiu: Partitë të reflektojnë ndaj vërejtjeve që bën “Komisioni i Venecias”

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu thotë se partitë politike duhet të reflektojnë ndaj vërejtjeve që bën “Komisioni i Venecias” dhe jo të turren të ngrenë flamurin herë njëra e herë tjetra duke thënë se “Venecia” i dha të drejtë tezës tone.Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Abdiu thotë:“Rekomandimet e draftit janë shumë kuptimplotë. Komisioni i Venecias nuk mund të vlerësoj me vota asnjërin draft. Nuk ka pse të mburret njëra palë ose tjetra. Komisioni i Venecias nuk ka thënë se njëri draft është i mirë dhe tjetri i keq.  E para se “Venecia” ashtu nuk flet. Flet me gjuhën e analizës, duke bërë analizën, një për një, të drafteve. Nuk fyen dhe nuk përçmon asnjërin prej drafteve. Dhe pasi lexon alternativat e dhëna nga palët jep opinion e saj, nuk detyron. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe mos rrëmbehemi, duke thënë se ka hedhur poshtë njërin draft dhe ka mburrur tjetrin. KV jep vetëm sugjerime për të parë, reflektuar. Procesi i filluar shumë kohë më parë për reformën në drejtësi, pavarësisht vështirësive që pati dhe ka, tashmë është në një pikë ku mund të nxirren disa përfundime, konkluzione, pse jo edhe disa mësime”Për Abdiun puna më e madhe e reformës, ajo që konsiderohet pjesa e hamallëkut në këtë reformë, ka përfunduar dhe se konsensusi mes partive është i arritshëm nëse do të gjejnë kurajon për të bërë lëshime për të shkuar drejt njëra tjetrës për problematika të ndryshme.“Si komisioni parlamentar, grupimi i ekspertëve dhe veçanërisht grupimet politike kanë bërë një punë shumë të mirë me draftet e tyre, pavarësisht se në të dy draftet ka gjëra që duhen parë me rezervë. Edhe LSI nga ana e saj ka shtruar ide të matura. Duke filluar nga janari, siç thotë dhe Komisioni i Venecias duhet t'i rikthehet edhe njëherë për tu diskutuar në tryezën e ekspertëve, nën ombrellën e vlerësimit të ekspertëve ndërkombëtar dhe në fund të arrihet pajtueshmëria e mbarë faktorit politik në vend. Ky konsensus sipas meje është i arritshëm nëse partitë politike do të gjejnë kurajën për të bërë lëshime për të shkuar drejt njëra tjetrës për problematika të ndryshme”Pyetje: Keni merak që nuk ka infrastrukturë dhe profesionistë për tu implementuar?Fehmi Abdiu: Patjetër që do të arrihet të implementohet. Nëse për një ligj të veçantë implementimi, zbatimi vënia në jetë kërkon të dalin akte të tjera për imlpementimin e një pakete të tërë kushtetuese do të kërkohen në mos gabohem mbi 20 e sa ligje të cilat një pjesë e tyre kanë rëndësi organike që nuk është kollaj të bëhen. Implementimi i tyre i plotë do shumë kohë dhe duhet krijohen institucione të reja. Të gjitha ato institucione që është folur që shtohen veç KLD-së, organe që kanë të bëjnë me disiplinën, organe që kanë të bëjnë me kontrollin, organe që kanë të bëjnë me administrimin e veprimtarisë administrative e shumë organe të tjera që kanë shumë rëndësi. Mua më shqetëson vështirësia për krijimin e organeve që parashtrojnë draftet dhe këtu e kam fjalën qoftë për aspektin ligjor  dhe sidomos për atë organizativ që është dhe më i vështiri. Qoftë zbatimin në praktikë.Për ta vënë në jetë këtë, a i kemi njerëzit?Fehmi Abdiu:  Edhe i kemi, edhe nuk i kemi. Ne kemi një zakon të keq, që e quajmë punën e mbaruar kur mbarojmë ligjin. Po të vështroni me kujdes sot kemi shumë ligje të miratuar që nuk janë impementuar siç duhet. Ka mjaft kohë që është miratuar ligji për gjykatat administrative dhe sot e kësaj dite vëmë re se ka shumë probleme. Ligji ka gabime dhe ka vështirësi në zbatim. Ka mangësi në kuadër dhe zbatueshmëri. Po ashtu duhet të riparohet i gjithë legjislacionin ekzistues. Pa dallim. Pra nuk mund të krijohen të gjithë draftet me një të rënë të shkopit. Nuk kemi fuqi ekonomike dhe potenciale të pakta dhe nuk mund të bëhet për një ditë.Abdiu thotë se  Komisioni i Venecias do të zgjedhë alternativat më të pranueshme dhe që e pengojnë kapjen e drejtësisë nga politika. "Pasi ajo e ka parasysh që politika në Shqipëri nuk ka lënë derë dhe ferr pa kapur. Ndërsa gjykatësi i përgjegjshëm, prokurori i përgjegjshëm siç kanë qenë i patunduar nga paraja dhe politika, do ta ketë edhe më të lehtë me reformën e re, që të qëndrojë i pandikuar nga politika" /Oranews.tv/