Kokëdhima politikani i vitit: Paradoksal qëndrimi i të majtëve për kanabisin
Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, është vlerësuar si politikani i vitit nga emisioni investigativ “Fiks Fare”.Vlerësimin, Kokëdhima e ka shoqëruar edhe me një intervistë ku u ndal në zhvillimet e Partisë Socialiste. Sipas deputetit, shtyrja e Kongresit nuk ishte atribut i tij, ndërsa tha se partia ku ai bën pjesë po rritet dita-ditës.Kokëdhima: Ne nuk kemi probleme të tilla në parti, që, doli fjala e këtij apo doli fjala e atij. As për kongresin dhe as për çështje të tjera. Ne punojmë në frymë kolegjiale dhe shoqërore. Dhe diskutimi ynë dhe i të gjithë kolegëve në parti është si t’u japim zgjidhje çështjeve të mëdha dhe sfidave të rëndësishme që qëndrojnë përpara vendit dhe përpara qeverisjes së tij. Partia Socialiste është në një ripërtëritje të gjerë të rradhëve të saj. Në qershorin që lamë prapa, kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama, kërkoi që në 25-vjetorin e Partisë Socialiste, pra në qershorin e ardhshëm, PS-ja të shkojë me rradhë të veta të dyfishuara. Dhe tani, në të vërtetë, ajo që po ndodh është pikërisht kjo, që, sidomos, të rinjtë e të rejat, njerëzit me vlera të shoqërisë janë duke e përtërirë PS-në, për t'i dhënë asaj forcën dhe përgjegjësinë e duhur në përballimin e këtyre përgjegjësive që kemi. Deputeti i jugut vijon t'i qëndrojë idesë së legalizimi i kanabisit do të sillte më shumë të ardhura në ekonominë e buxhetit të shtetit, ndërsa thekson se edhe kryeministri Edi Rama e ka lënë debatin e hapur për ta vlerësuar me maturi.Kokëdhima: Legalizimi i kanabisit është sigurisht një ideologji e majtë. Edhe nga kjo pikëpamje është paksa paradoksal qëndrimi ynë. Kështu që sot, në vend që të sofistikojmë gjykimet, ne duhet të japim alternativa për mënyrën se si duhet zhvilluar dhe qëndrimet që duhen mbajtur ndaj kanabisit. Eshtë më mirë, shumë më efiçente dhe më realiste, një qasje pragmatiste ndaj kësaj çështjeje, siç po ndodh sot në botë. Nga pikëpamja ligjore, nuk ka asnjë lloj komplikimi. Kështu që, besoj, se janë të gjitha kushtet që në Shqipëri të bëjmë një politikë tjetër për të përfituar edhe ekonomi, për të përfituar edhe treg në farmaceutikën evropiane dhe më gjerë, për të bërë një politikë më të butë penale dhe për të punuar që të kemi sa më pak konsumatorë të kanabisit, sa më pak të rinj e të reja që implikohen me të dhe dëmtojnë shëndetin, duke tymosur hashash. Edi Rama ka qenë i kujdesshëm në prononcimet e veta. Asnjëherë nuk është deklaruar se këtu nuk ka gjëra për të shqyrtuar, përkundrazi. Ai e ka deklaruar edhe vetë që, sot, ky është një debat në të gjithë botën për çështjen se si duhet trajtuar problemi i kanabisit. Unë dua të besoj që, dhe realisht besoj, Edi Rama nuk është për ta mbyllur këtë debat, por për ta diskutuar këtë çështje me shumë kujdes dhe shumë maturi.Deputeti socialist foli dhe për marrëdhënien me Kryeministrin dhe u ktheu përgjigje disa akuzave të ngritura nga opozita.