Shkodër, është ulur numri i vrasjeve, shqetësues mbeten vjedhjet

Viti 2015 ka shënuar një ulje me rreth 50% të krimeve të rënda në qarkun e Shkodrës.Një fakt të tillë e pranon numri një i policisë së qarkut Shkoder, Lorenc Panganika gjatë një komunikimi me mediat. Ajo që mbetet shqetësuese në qarkun Shkoder janë vjedhjet, të cilat kanë njohur rritje.Lorenc Panganika: "Siç ju jeni informuar niveli i krimeve të rënda është ulur në qarkun e Shkodrës. Kemi një ulje me 50 % të krimeve të rënda. Ky është një tregues pozitiv. Për vrasjet e mbetura pa autor, ne analizojmë në mënyrë të veçantë.Kemi dosje të cilat i diskutojmë me prokurorinë për të filluar hetimet.Ne jemi në një fazë analize në mbylljen e fundvitit dhe shqetësim kryesor për ne mbeten problemet e vjedhjeve të cilat kanë faktor social ekonomik. Për masat e 2016 ne kemi shpërndarë pyetsorë dhe institucioneve të ndryshme dhe subjekteve fizikë juridikë dhe qytetarëve të ndryshëm sipas kategorive të caktuara. Jemi duke i mbledhur këto pyetsorë duke parë shqetësimet dhe problematikën që i shqetësojnë qytetarët dhe komunitetin në bazë të tyre organizohet dhe planifikimi dhe objektivat për vitin 2016."Panganika u ndal edhe tek masat e marra për festat e fundvitit, që rrisin gatishmërinë e efektivëve në terren.Lorenc Panganika: “Policia e Shkodrës ka bërë planet e masave të posaçme me rastin e festave të fundvitit, ka koordinuar punën me pushtetin vendor për aktivitetet që do të zhvillohen. Shërbimet e policisë zhvillohen me shërbime të përforcuara ose shtesë. Për çdo aktivitet policia merr masa duke u rakorduar me pushtetin lokal.Puna është përqendruar në marrjen e informacioneve dhe organet e shërbimeve të hapura.Deri tani në këto probleme vazhdojnë këto shërbime: kontrolli i akseve rrugore, kontrolli i personave të cilët kanë tendenca kriminale. Janë nënshtruar dhe kontrolle të ndryshme, ju i shihni vetë. Deri tani nuk kemi patur incidente."Një tjetër sfidë për policinë e shtetit mbetet edhe kërcënimi nga terrorizmi, për të cilin masat janë shtuar në pikat e kalimit kufitar, institucione të rëndësisë etj. Lorenc Panganika: "E kam bërë prezente dhe në një intervistë të posaçme për masat kundër terrorizmit. Masat kundër terrorizmit janë në të njëjtin nivel dhe vazhdojnë të jenë. Flas për qarkun e Shkodrës, nuk ka një kërcënim serioz për momentin. Ne situatën dhe informacionet i analizojmë në mënyrë periodike dhe të shpeshtë." Në më pak se 365 ditë në qarkun e Shkodres janë shënuar 8 vrasje me 10 viktima, 5 prej të cilave janë zbardhur dhe autorët kanë rënë në pranga, ndërsa 3 vrasje janë ende të pazbardhura.policia shkoder /Oranews.tv/