Mazniku: Po negociojmë me qeverinë për një fond të posaçëm për shpronësimet
Qeveria pritet të jap një fond të veçantë vitin e ardhshëm për shpronësimet në Bulevardin e Tiranës nga ish-Stacioni i Trenit në drejtim të Paskuqanit. Prej vitesh pronarët që preken nga këto punime kundërshtojnë vlerën e caktuar për shpronsimin e tyre me vendim të qeverisë Berisha. Nënkryetari i Bashkisë Arbjan Mazniku tha vitin e ardhshëm do të ketë zgjidhje përfundimtare të këtij problemi.Bashkia e Tiranës po negocion me qeverinë për të dhënë një fond të veçantë në 2016-në për shpronësimin e pronarëve që preken nga zgjatimi i Bulevardit të Ri dhe të parkut qëndor. Fondi ende nuk është bërë publik, por nënkryetari i bashkisë, Arbjan Mazniku thotë se për këtë proces bashkia do të ketë mbështetjen e qeverisë për të zgjidhur përfundimisht problemin e shpronësimeve.Mazniku: “Çështja e shpronësimeve në atë pjesë është përgjegjësi e bashkisë dhe ne po marrim mbështetje të qeverisë qëndrore për të kryer shpronësimet në kohën më të shpejtë të mundshme dhe brenda të gjithë mundësive. Kemi negociuar së fundi një fond të posaçëm shpronësimi në këto zona. Është ende në diskutim dhe do të zbardhet së bashku me buxhetin e ri. Ne do të synojmë që brenda një viti, nga sot deri në dhjetorin e vitit që vjen dhe synojmë që pjesa më e madhe e bulevardit të jetë mbaruar dhe sigurisht pjesa më e madhe ose gjithë punimet e lumit”.Dhjetra shtëpi e biznese pranë ish-Stacionit të Trenit janë shembur për shkak të kryerjes së punimeve. Banorët kanë kundërshtuar çmimin e kompesimit përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave të qeverisë Berisha prej 26.000 lekë për m2. Punimet e Bulevardit vijojnë por pronarët ende nuk kanë marrë një përgjigje se çfarë do të ndodhë me kompesimet.Banorët kanë protestuar disa herë si dhe kanë zhvilluar takime me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Qeveria duhet të ndryshojë me vendim vlerën e parë të kompesimit dhe më pas t’ia alokojë fondin njësisë vendore për të zgjidhur këtë problem të mbartur prej disa viteve.