Peres pret Ramën: Shqipëria vend i vogël, do ju ndihmojmë të bëhet i madh
Gjatë vizitës në Izrael, Kryeministri Edi Rama u prit nga ish Presidenti i Izraelit Shimon Peres në Qendrën për Paqen “Peres”, një organizatë joqeveritare, e themeluar prej tij, që nxit afrimin e Izraelit me fqinjët, duke promovuar paqen përmes projekteve të përbashkëta ekonomike dhe sociale.Duke shprehur kënaqësinë që priti në takim Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ish Presidenti Peres vlerësoi me admirim ndryshimet e bëra së fundmi në Shqipëri dhe rolin e kontributin e Kryeministrit Rama në këtë drejtim.“E di që Shqipëria sot është një vend tërësisht i ndryshëm, shumë i ndryshëm falë jush, në fillim si kryebashkiaku më i dashur që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, dhe tani si kryeministri më i dashur që ka Shqipëria”, tha Perez.Ish Presidenti Peres u shpreh se e sheh të ardhmen e Shqipërisë premtuese, duke ofruar gatishmërinë për ndihmë dhe bashkëpunim, si mënyra më e mirë që vendet të mbështesin njëri-tjetrin drejt prosperitetit.“Në realitet keni treguar se me zgjuarsi dhe vullnet të mirë ju i keni shërbyer shumë njerëzve tuaj dhe e rivendosët Shqipërinë sërisht në hartë. Jam shumë i prekur kur ju shoh këtu ju. Shqipëria është një vend i vogël ashtu sikurse ne. Vogëlsia dhe madhështia në ditët e sotme nuk maten nga madhësia territoriale apo popullsia, por maten vetëm nga vlerat dhe cilësia e edukimit që një vend mbart. Me sa di unë ju keni ende shumë probleme, por çfarë bëtë në një kohë të shkurtër është fantastike, ndaj dua t’iu përgëzoj që jeni duke rilindur Shqipërinë që të ketë bukurinë e tokës së saj, mirësinë e njerëzve të saj dhe për përpjekjet për t’u bërë një vend që nuk bazohet vetëm në bukurinë e tokës tuaj, por edhe në shkencë dhe teknologji. Me aq sa mundemi, do të jemi më shumë se të lumtur që t’ju ndihmojmë sepse vendet e vogla mund të bëhen të mëdhenj, jo nëpërmjet ushtrive, por nëpërmjet edukimit.Për mua ky nuk është vetëm një takim diplomatik, por edhe një event shumë emocionues.”Nga ana e tij, Kryeministri vlerësoi figurën e spikatur dhe popullore të ish Presidentit të Izraelit Shimon Peres, si mbartës së mesazheve të mirëkuptimit e bashkëjetesës në paqe mes vendeve.Kryeministri Rama i dorëzoi ish Presidentit Peres, Medaljen e Mirënjohjes së Kryeministrisë, duke iu drejtuar me fjalët: “Për gjithçka jeni dhe përfaqësoni, për të “urtin” e Izraelit, ju falënderoj me zemër dhe, në emër të qeverisë shqiptare dhe të gjithë atyre, nëse me lejohet, që u mblodhën sonte këtu, ju dorëzoj Medaljen e Mirënjohjes se Kryeministrisë.