Lu i jep Berishës vërejtjet e Venecias, e falenderon për angazhimin në reformimin e drejtësisë
Ish-kryeministri vendit, Sali Berisha, priti sot në një takim ambasadorin e SHBA, Donald Lu, i cili i dorëzoi zyrtarisht në emër të Ambasadës së SHBA dhe BE, draftin e vërejtjeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi.Në njoftimin për mediat të zyrës për shtyp të ish-kryeministrit, thuhet se Lu e falenderoi zotin Berisha për angazhimin serioz dhe kontributin e tij në këtë proçes themelor dhe shprehu bindjen se vërejtjet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias pasqyrojnë gjerësisht qëndrimet dhe vërejtjet e formuluara nga opozita.Ambasadori Lu i shprehu zotit Berisha dhe falenderimet për rolin e madh që ai ka luajtur në proçesin e miratimit të ligjit për dekriminalizimin.Falenderime pati edhe Berisha për Ambasadorin Lu për mbështetjen e çmuar dhe përkushtimin e tij të madh në proçesin e dekriminalizimit.Berisha: “Pa këtë mbështetje dhe qëndrimet tuaja, ky ligj do ishte i pamundur. Ky ligj është një hap i madh përpara, por nga ana tjetër shpreh keqardhjen më të madhe se të nesërmen e miratimit të ligjit, Edi Rama emëroi në krye të socialistëve të Shkodrës një njëri të çertifikuar për vrasje nga drejtësia”.Berisha gjithashtu e falenderoi me mirënjohje ambasadorin për mbështetjen dhe angazhimin e madh që ai i jep reformës në drejtësi, të cilën zoti Berisha e ka vlerësuar dhe e vlerëson jetike dhe vendimtare për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptar, prosperitetin e tyre dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.Berisha shprehu falenderimet për Komisionin e Venecias për punën e madhe që ka bërë dhe për komentet dhe rekomandimet e tij, të cilat janë në një valë me propozimet e opozitës.Berisha:“Ky dokument është një bazë shumë solide për ti dhënë vendit reformën më të mirë të drejtësisë. Me vërejtjet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, provohet sesa qesharake janë pretendimet se opozita është kundër reformës në drejtësi. Komentet, vërejtjet, rekomandimet apo sugjerimet dëshmojnë qartë se opozita është jo për një reformë që kap drejtësinë nga politika apo partia, por për një reformë të standarteve më të mira europiane.Opozita, sikundër deri sot, duhet dhe do të qëndrojë e angazhuar me të gjithë potencialin e saj për këtë reformë, e cila duhet të bazohet në parimet themelorë të kushtetutshmërisë, që aq me kopetencë i ka zbërthyer Komisioni i Venecias në vërejtjet e tij.Mendoj se forcat politike duhet të mbështesin këshillën e urtë të kryetarit të Komisionit të Venecias, i cili rekomandoi politikën e ndjekur për miratimin e ligjit të dekriminalizimit”.Berisha shprehu bindjen se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të punohet dhe proçedohet për hartimin dhe miratimin e të gjitha amendamenteve kushtetuese dhe ligjeve të tjera që rrisin përgjegjësitë, transparencën dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe ndëshkojnë korrupsionin në këtë sistem.