Berisha: Edi Rama duhet të rrëzohet me të gjithë mjetet demokratike, sa më parë
Në 25 vjetorin e krijimit të të parës parti opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike, ish-kreu i saj Sali Berisha ka lëshuar thirrjen ndaj demokratëve dhe shqiptarëve mbarë të ngrihen në këmbë kundër keqqeverisjes.Në ceremoninë festive në Pallatin e Kongreseve ku ishin dhjetra të pranishëm, Berisha tha se sot të rinjtë janë më të guximshëm dhe më të fuqishëm se 25 vjet më parë për të mbrojtur të drejtat e tyre.Porosia e ish-kryeministrit ishte: “Mendoni nga mëngjesi deri në darkë për të gjithë format e mosbindjes civile paqësore për të qëruar sa më parë këtë klikë”.Berisha: Sot ne jemi 25 herë më të guximshëm. 25 herë më të fuqishëm dhe më të qartë për të mbrojtur liritë tona, për të mbrojtur votën, për të mbrojtur qënien tonë. Ndaj dhe thirrja ime është, të ngrihemi në lartësinë e guximit që kemi dhe që kërkon koha.Ky vrasës i shpresës duhet të marrë sa më shpejt atë që meriton, fundin, koshin e plehrave të etërve të tij. Edi Rama duhet të rrëzohet me të gjithë mjetet demokratike sa më parë. Demokratë dhe demokratë prova është e jona, thirrja është e jona, të mos presim asnjë orë dhe asnjë ditë se çfarë po bëjnë shqiptarët.Po të shohim çfarë po bëjmë vetë për ti inkurajuar ata, për ti organizuar ata, për ti mbledhur ata, për tu kthyer atyre besimin dhe shpresën se Shqipëria, e bukura e dheut, nuk meriton të largohemi.Por meriton të punojmë me guxim të madh për ta vendosur atë në rrugën e lirisë.Ju ftoj secilin prej jush, çdo shqiptar, demokrat, të mendojë nga mëngjesi deri në darkë për të gjithë format e mosbindjes civile paqësore për të qëruar sa më parë këtë klikë që po largon nga Shqipëria çdo ditë qindra e mijëra të rinj, që po shkreton këtë vend, që i ka dhënë Shqipërisë reputacionin e Sirisë sa i takon azilantëve, që po i vdes në burgje, që po i vdes në kasolle të ftohta pa energji. Në këmbë, në këmbë, në këmbë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.Arben Imami, një nga themeluesit e kësaj partie, tha se mësimi që duhet të nxjerrë PD nga ’99 është të shkojë drejt realizimit të objektivit për një qeveri teknike.Imami: Kur përdhosën zgjedhjet e lira nuk ka zgjidhje tjetër për Shqipërinë përveç se Partia Demokratike. Mësimi i vitit 1990 është ky, të ecim ashtu sikur u proklamua nga zoti. Basha në mitingun e protestës së fundit, për një qeveri teknike, për zgjedhje të reja. Bashkë drejt këtij objektivi.Edhe ish-kreu i kësaj partie, Eduard Selami, shprehu besimin se rikthimi i PD në pushtet është i afërt.Eduard Selami: Sot Shqipëria pas 25 viteve ka nevojë për një rigjallërim të vlerave më të mira të shpirtit demokrat të shqiptarëve. Shqiptarët me të drejtë për shkak të keqqeverisjes po humbasin shpresën, por ku më shumë dhe ku mund ta kërkojnë përveç se te PD.Ky është detyrimi ynë i përbashkët. Nëse unë e ngre zërin kritik disa herë e ngre në emër të këtyre vlerave, shpresave dhe besimi që shqiptarët kanë tek PD. Shumë shpejt PD do të rikthehet edhe njëherë në pushtet dhe do ta kthejë Shqipërinë në rrugën e mbarë, në rrugën drejt Europës.



