Anti-informaliteti, shfryhen pritjet për të ardhurat, do mblidhen vetëm 64 mln euro
Ministria e Financave në relacionin e projektbuxhetit 2016 pret që lufta ndaj antinformalitetit të gjenerojë 8.9 miliard lekë te ardhura ose rreth 64 milionë euro, nga më shumë se 300 milionë euro që pat premtuar Ministri i Financave para mediave në fillim të aksionit. Në detajimet që bëhen nga Ministria, theksohet se këto para do të dalin nga sektori i doganave dhe veçanërisht te mallrat e akcizës, ku është edhe niveli më i lartë i evazionit dhe kontrabandës.Shkëlqim Cani, 22.08.2015: "330 mln dollarë ose afërsisht 40 mld lekë"Kjo është shifra që Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, premtoi të mblidhte nga aksioni anti-informalitet teksa në fund të gushtit paralajmëroi furinë mbi bizneset që operonin në të zezë.Por në relacionin që shoqëron projektbuxhetin 2016, Ministria e Financave parashikon të gjenerojë nga lufta anti-informalitet vetëm 8.9 miliardë lekë të ardhura, ose 64 milionë euro, shumë më pak nga sa premtoi rreth 3 muaj më parë kryefinancieri Cani.Ministria e Financave shpjegon në dokument edhe vlerësimet që ka bërë për të arritur te shifra e dytë dhe se ku do të fokusohet:-Se pari, mirëadministrimi i cigareve. Vlerësohet se për vitin 2016 do të importohen 3.000 ton cigare në krahasim me rreth 2.600 ton që priten për vitin 2015;-Rritja e importeve të karburanteve me 3.4% në krahasim me vitin e kaluar, bazuar në rritjen e konsumit të karburanteve janar-shtator 2015 krahasuar me 2014 si dhe rritjen reale ekonomike për vitin 2016;-Si dhe Tatimi mbi vlerën e shtuar, prej 2.8 miliard lekë.Sektorët e mësipërm kanë të bëjnë me doganat, çka indirekt pranohet se problemi kryesor me evazionin dhe informalitetin është në këtë administratë dhe veçanërisht me mallrat e akcizës, ku bëhet edhe kontrabanda.Ministria e Financave sqaron në relacionin e projektbuxhetit se është ende herët që të bëhet një vlerësim mbi të ardhurat shtesë nga lufta ndaj informalitetit dhe se në parashikimin e të ardhurave për vitin 2016, nuk janë përfshirë të ardhura shtesë për zërat kryesorë të ardhurave tatimore, me përjashtim të vlerësimit rreth 1.5 miliard lek të ardhura shtesë nga TVSH e brendshme.