Ish-punëtorët e Uzinës së Armëve kërkojnë trajtim me ndihmë të veçantë ekonomike

Rreth 100 punëtorë të ish-Uzinës së Armëve në Poliçan, kanë protestuar duke kërkuar trajtim me ndihmë të veçantë ekonomike. Ata kërkojnë trajtim me 80% të pagës, pas heqjes nga puna si pasojë e shkurtimit të vendit të punës. Shumë prej tyre vuajnë nga sëmundjet profesionale.Ish-punëtorë të Uzinës Mekanike të Armëve në Poliçan, të hequr nga puna në vitin 2014 kanë protestuar në qendër të qytetit duke kërkuar trajtim të veçantë me ndihmë ekonomike.Punëtorët, shumë prej të cilëve thonë se janë të sëmurë nga helmet, deklarojnë se janë hequr nga puna pa asnjë motivacion dhe janë zëvendësuar nga persona të paprofilizuar në proçeset e kësaj Uzine.“Punova 11 vjet të tjera në demontim, në helm dhe tani të dal në rrugë mua më duket shumë e padrejtë. Jam djegur për 20 ditë, 10 vjet do kisha dalë në trajtim të veçantë”.“Të gjithë kërkojmë trajtimin e veçantë. Gjatë periudhës 2004 punëtorët e vjetër që ishin aty e morën trajtimin e veçantë, u trajtuan me 80% që rrinin në shtëpi. Demontimi ishte shumë i vështirë, njerëzit lanë kokën. Ne e kryem si detyrim dhe nuk përfituam asgjë.“Me vështirësi, me sëmundje profesionale të gjithë. Nuk kërkojmë asgjë nga shteti, një thes miell dhe një litër vaj. Kemi kërkuar takim me Ministrin e Mbrojtjes prej një viti që bëhet kjo punë dhe nuk kemi pasur mundësi ta takojmë vetëm njëherë”.Ish-punëtorët e Uzinës Mekanike të Armëve në Poliçan kanë protestuar edhe herë të tjera për problemin e pensioneve, por kërkesat e tyre nuk kanë gjetur zgjidhje.